Thellohet përplasja, Meta i rrëzon Bashës 85%: Sikur të kishe çerekun, do kishe fituar vërtetë

POLITIKË


Presidenti Ilir Meta, teksa ndodhet me pushime, çdo mëngjes e nis me një reflektim politik dhe në mesazhin e të hënës duket se ka ndërruar mendim për fitoren me 85% të opozitës në zgjedhjet e 30 qershorit, duke i rrëzuar kreut të PD-së sloganin e turit paszgjedhor.

Presidenti shkruan se sikur opozita të kishte vetëm çerekun e votave të 85% për të cilin janë shumë entuziastë, do të kishte fituar vërtetë në zgjedhje. Me një retorikë plot ironi e sarkazëm, presidenti vë në lojë opozitën dhe veçanërisht Bashën  që në çdo takim rreh gjoksin për fitoren me 85% në zgjedhjet e 30 qershorit.

Meta sigurisht që nuk lë pa shigjetuar edhe maxhorancën, ndërsa shkruan plot ironi se këto “fitorje” (siç e thoshte në dialekt Enver Hoxha) kanë pasoja të rënda për vendin dhe përgjigjen e BE-së për çeljen e negociatave në tetor.

“Fitoret e thella që gëzojnë liderët dhe pasojat e rënda që penalizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët.

E kam fjalën për fitoren “e vërtetë” të mazhorancës aktuale, që në zgjedhjet e saj të njëanshme dhe të paligjshme, shpalli fitoren në 100% të bashkive të Shqipërisë, si edhe të këshillave bashkiakë.

Por edhe entuziazmi i liderëve të opozites se ata fituan 85% është mbresëlënës, duke harruar se sikur opozita të ishte regjistruar në kohë para shfuqizimit të 30 qershorit si datë e zgjedhjeve do t’i mjaftonte të kishte për vete, jo më shumë se 1/4 e 85% për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore.

“Fitorje” të tilla penalizojnë rëndë të ardhmen e vendit, pasi jo vetëm garantojnë një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave në mënyrë te sigurtë, por lenë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët jetën e tyre të përditshme e kanë aq të lidhur me shërbimet e pushtetit vendor.

Ndērkohë asgjesimi i llogaridhënies së pushtetit vendor (pas atij qendror), i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe të përzgjedhurve të saj për të administruar çdo pushtet, pasuri dhe pronë publike, në mënyrë arrogante dhe të pakontrolluar.

Viktimat e këtyre “fitorjeve” janë të gjithë qytetarët shqiptarë pa dallime partiake.

Për integrimin as bëhet fjalë por mbetet vetëm të shpresojmë të mos na ndëshkojnë në institucionet aktuale, që merren me mbrojtjen e autonomisë vendore, demokracisë vendore dhe të drejtat e njeriut”, shkruan Meta.

Përmes këtij mesazhi duket qartë thellimi i përplasjes së presindetit me kreun e PD-së, Basha, i cili është i vetmi opozitar që nuk i ka dalë në krah në kërkesën e tij për të zhvilluar zgjedhje në 13 tetor. ndërkohë që LSI dhe aleatët e tjerë të PD iu drejtuan me një kërkesë KQZ-së për nisjen e procedurave për zhvillimin e zgjedhjeve në 13 tetor, Basha nuk ka qenë me ta, duke i dalë në këtë mënyrë kundër propozimit të presidentit. Marrëdhëniet e tyre duket se kanë pësuar krisje edhe për shkak të dokumentit të shpërndarë nga PD, (të cilin e publikoi e para realstory), ku bëhej thirrje që të mos komentoheshin sulmet e presidentit ndaj Sorosit. Pra Basha nuk e sheh Metën si negociator për zgjidhjen e krizës, nuk mbështet sulmet e tij ndaj Sorosit, dhe nuk mbështet propozimin për zgjedhje në 13 tetor. Në shenjë hakmarrje Meta i rrëzon kreut të PD-së  sloganin për fitoren prej 85%, slogan pas të cilit Basha është kapur fort në fushatën e ndërmarrë në strukturat e PD-së, për të shpëtuar veten nga kritikët brenda partisë. Por këtu ka gjetur një kundërshtar, presidentin Meta që deri dje e kishte në krah në protestat e dhunshme dhe sot i thotë se ke humbur keq./Realstory.al



Skip to toolbar