Mes dhimbjes së madhe dhe lotëve, në Thumanë po bëhen nderimet e fundit në nder të familjes Cara dhe Greku, të cilët humbën jetën nga shembja e tre pallateve, pas tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.
Në orën 13:00 ishte varrimi i dy familjeve. Njëra prej atyre ajo e Carajve është një nga më të prekurat e kësaj fatkeqësie, pasi 7 anëtarë të kësaj familje kanë gjetur vdekjen në gërmadhat e pallateve të shembura. Homazhet po bëhen nën një çadër pranë një godine që njihet edhe si teatri i Thumanës. Në ceremoninë mortore të pranishëm janë edhe kryeministri Rama, zv.kryeministri Erion Braçe, ministri brendshëm Sander Lleshaj dhe ish ministrja e arsimit, Lindita Nikolla. “Zoti kshu e mendoi, 2 me na i lënë dhe 7 me na i marrë. Ne vetëm me qëndru se s’kemi rrugë tjetër. E kemi menaxhuar mirë. Besoj se do ta kalojmë, stafi mjekësor janë aty, e kam mendu se do të jemi në një situatë shumë më të vështirë. Respekt pa fund!” tha një familjar në takimin me kryeministrin Rama. Në këto momente të trishta fjalët janë të pakta edhe për kryeministrin, i cili ka qëndruar kokë ulur dhe në heshtje në nder të viktimave.
Po ashtu kanë qenë të shumtë të pranishmit në homazhe, familjarët, shokë, miq, të afërm por edhe të panjohur që janë prekur nga kjo tragjedi. Por edhe në familjen Greku, tre anëtarë të familjes kanë humbur jetën, ndërsa për Dorjanin dhe Denisën, kjo është dita më e vështirë të jetës së tyre.
Ndërkohë familjarët kanë nisur edhe vajtimin e viktimave, që kanë krijuar një situatë akoma më të trishtë pranë çadrave ku janë strehuar të prekurit nga tërmeti. Në këtë ceremoni mortore kanë ardhur shumë të afërt të cilët me lule në duar dhe me lot në sy shohin për herë të fundit arkmortet e familjarëve të tyre.