Tirana i jep Pekinit ushtarin e mafias kineze. Akuza për pengmarrje e gjoba

AKTUALITET


Interpol Tirana ka ekstraduar drejt Kinës 25-vjeçarin e kapur në qershor të vitit 2018, pasi rezulton se ai ishte në kërkim nga Kina, për arsye se para se të vinte në Shqipëri, ai ishte pjesë e një bande të dhunshme, që vinin gjoba merrnin peng njerëz dhe hapnin kazino për të përfituar para në mënyrë të paligjshme.

Policia e Shtetit tha se ekstradimi i tij u bë të enjten, sipas të cilëve, G. L., 25 vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Beijing në Kinë, pasi është i dënuar me 10 vjet burg, për veprën penale  “Gjobëvënie”.  Arrestimi i këtij shtetasi u bë në qershor 2019, në Pikën e Kalimit Kufitar, në Aeroportin e Rinasit, nga Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Interpol Pekin, Kinë.

“Shtetasi kinez G. L. ishte një nga anëtarët kryesorë të një bande kriminale, e cila ushtronte aktivitetin e saj në qytetet Aotou, Maonan, Maoming dhe në provincën Guangdong, duke ushtruar dhunë, duke vënë gjoba dhe duke hapur kazino e lojëra fati, nga të cilat përfitonin para në mënyrë të paligjshme. Në vitin 2013, ky person në bashkëpunim me disa anëtarë të tjerë të bandës, mori peng dhe mbajti në mënyrë të paligjshme një shtetase, duke e detyruar atë të shlyente një shumë prej 3.8 milionë jenë kinezë”, deklaroi policia.

Ai është në gjyq edhe për një ngjarje tjetër në Kinë. Në vitin 2014, po në bashkëpunim me disa anëtarë të tjerë të bandës shkoi në një kompani dhe e detyroi drejtuesin e saj të shlyente një kredi, duke shitur 23 suita, 40 hapësira parkimi dhe 6 autovetura me çmim të ulët. Kinezi G.L. iu dorëzua oficerëve kinezë në Pikën e Kalimit Kufitar në Aeroportin e Rinasit.



Skip to toolbar