Të premten pasdite, Gjykata e Tiranës vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për 6 personat e dyshuar për rastin e bujshëm të “Toyota Yaris”. Sipas Balkanëeb, ndonëse janë ende në arrati, Gjykata vendosi që dy kushurinjtë Elvis dhe Alfred Vladi të jenë nën masën “Detyrim paraqitje”, nga ajo “Arresti me burg në mungesë” që ishin më parë. Gjithashtu, “Detyrim paraqitje” do të kenë edhe katër personat e tjerë që ndodheshin në burg, dhe që u arrestuan gjatë kohës që u tentua të kaloheshin në mënyrë të paligjshme 3.4 milionë euro jashtë Shqipërisë nëpërmjet Portit të Durrësit.
Konkretisht, Alban Mollaymeri, Agim Çekaj, Klevis Cani dhe Edi Lika do të dalin nga paraburgimi duke pasur masën “Detyrim Paraqitje”. Ende nuk është zbardhur arsyetimi i gjykatës për ndryshimin e masës së sigurisë për 6 të dyshuarit. Ishte Prokuroria e Durrësit ajo që nisi hetimet fillimisht, pasi u bllokuan 3.4 milionë euro në dy mjetet “Toyota Yaris” që do kalonin jashtë vendit. Mirëpo, duke qenë se akuzat që u ngritën ishin për “grup i strukturuar kriminal”, dosja i kaloi ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Megjithatë, kjo prokurori, përpara se të shkrihej për t`i lënë vendin krijimit të SPAK, e dërgoi dosjen te Gjykata e Tiranës, e cila rrëzoi akuzat për “grup kriminal”.
Kështu, gjykata vendosi të zbusë edhe masën e sigurisë për 6 personat e dyshuar, 4 prej të cilëve ishin në burg dhe dy të tjerë në arrati. Rasti i “Toyota Yaris” u denoncua fillimisht nga ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në paralament, i cili akuzoi se deputetë të Partisë Socialiste kishin lidhje me paratë që u kapën në makina. Megjithatë, këto akuza nuk u vërtetuan asnjëherë, ndërsa vetë Basha ndryshoi disa herë qëndrim në deklaratat e tij përpara prokurorëve. Për të njëjtën çështje nisi hetimi edhe nga Prokuroria e Belgjikës, e cila gjithashtu ka shpallur në kërkim dy kushurinjtë Vladi.
Ndërsa, dy prokurorë belgë gjatë vitit 2019 erdhën dhe në Shqipëri për të marrë në pyetje kreun e PD, Lulzim Basha. Hetimet për dosjen e bujshme “Toyota Yaris” u mbyllën në shtator të vitit të kaluar, ku ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela kërkoi nga prokurorët e çështjes të dërgonin dosjen në gjykatë, pasi sipas saj “po kalonin afatet” e masës “arrest me burg” për 4 personat e dyshuar. Megjithatë, në 29 tetor të vitit të kaluar, ishte Gjykata për Krimet e Rënda (aktualisht Gjykata e Posaçme), që ktheu për rihetim dosjen “Toyota Yaris”. Ndërsa të premten në datë 17 janar, Gjykata e Tiranës ndryshon përsëri masën e sigurisë për 6 personat e dyshuar, duke u dhënë lirinë 4 personave të arrestuar, por dhe dy të tjerëve që ndodhen në arrati. /Realstory.al/