Akuzat e PD për 64 milionë euro humbje, OSHEE: Ka qenë vit i vështirë, kryem investime

AKTUALITET


Partia Demokratike tha të premten se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është duke u zhytur në një gropë të madhe abuzimesh dhe korrupsioni. Me anë të një deklarate për mediat, zyrtarit i PD-së, Ervin Minarolli tha se OSHEE ka dalë me 64 milionë euro humbje për vitin që lam pas.  “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka humbur 64 milionë euro vitin që shkoi, duke e zhytur kompaninë publike në një gropë të madhe abuzimesh dhe korrupsioni. Humbja dramatike e kaq shumë parave ndodh, kur shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të energjisë në rajon. 64 milionë eurot që i mungojnë arkës së Operatorit të Energjisë Elektrike janë para të futura në xhepat e Edi Ramës dhe njerëzve të tij, duke blerë energji me çmim më të lartë se tregu, apo duke përdorur paratë poblike për të mbushur xhepat e klientëve të vet, në dëm të financave të kompanisë”, tha Minarolli.

Megjithatë, lidhur me këtë deklaratë reagoi OSHEE, e cila pohon humbjet, por arsyeton se viti që sapo lam pas ishte shumë i vështirë. Sipas OSHEE, pritet që të ketë një bilanc negativ me 7.4 miliard lekë, por kjo ka ardhur, sipas OSHEE për disa arsye. “Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përmbyllur të dhënat e treguesve kryesore ekonomiko/financiar për vitin 2019, i cili konsiderohet si më i vështiri, për shkak të thatësirës së tejzgjatur që çoi në mungesën e prodhimit nga HEC-et e Kaskadës së Drinit dhe ato private. Kostoja e pashmangshme e mbulimit me energji importi të prodhimit të munguar ashtu sikurse ekzekutimi i detyrimeve në zbatim të vendimeve të gjykatave kanë sjellë përkeqësimin e rezultatit vjetor financiar të kompanisë por nuk kanë cënuar objektivat e vendosura në raport me reduktimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve dhe kontributin në Buxhetin e Shtetit përmes tatim/taksave.


Humbjet në rrjetin e shpërndarjes në vitin 2019 zbritën në 21.7% (kur objektivi i BB është 23%) ndërsa një vit më parë ato ishin 23.9%. Arkëtimet pritet të arrijnë 97% të vlerës së faturuar çka përbën rritje me 2% prej parashikimit në Buxhet dhe në Planin e Rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjetik. Të ardhurat nga shitja e energjisë për vitin 2019 rezultojnë me një rritje prej 2% ose në vlerë rreth 1.3 miliard lek krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë këtij viti, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka paguar 8.1 miliard Lek Buxhetit të Shtetit përmes tatim/taksave. Brenda kësaj shume është edhe tatim-fitimi për vitet e mëparshme në vlerën 3.3 miliard lek. OSHEE ka likujduar në këtë vit 100% të faturave korente ndaj Korporatës Elektroenergjetike, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Postës Shqiptare. Gjithashtu, është likujduar shuma prej 1.2 miliard Lek si pagesë për detyrimet e vjetra të trashëguara ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Në sajë të disiplinës financiare, OSHEE ka mundësuar edhe kryerjen e investimeve të domosdoshme për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrjetit të shpërndarjes. Përtej arritjes së këtyre objektivave, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pritet të dalë për vitin 2019 me një rezultat financiar negativ prej 7.4 miliard lekësh. Kjo shifër reflekton pashmangshmërisht angazhimin e Operatorit të Shpërndarjes për: a) garantimin e furnizimit të vazhdueshëm me energji të konsumatorëve pavarësisht thatësirës; b)   menaxhimin e situatës financiare pa rënduar mbi Buxhetin e Shtetit; c) mbajtjen e pandryshuar të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët final”, thotë ndër të tjera OSHEE.




Skip to toolbar