“Parku Rinia” u hap në festën e 1 Qershorit. I rindertuear, ai priti fëmijët e kryeqytetit, me më shumë lodra, gjelbërim dhe mjedise argëtuese.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Parku Rinia është një tjetër pikë tërheqëse që i shtohet kryeqytetit, njësoj si Pazari i Ri, Sheshi Skënderbejapo Kalaja e Tiranës. “M’u kujtua 1 Qershori i para 4 viteve, kur hapëm parkun e lodrave te Liqeni. Mbaj mend se nga 100 ditë që punuam aty, u bënë 78 protesta. Sa herë që ndodh ndonjë gjë e bukur, do ketë sherr e shamatë, përfshirë edhe Parkun Rinia. Parku Rinia ka firmën e Edi Ramës, i cili e pastroi nga gjirizi i madh i kioskave të të fortëve atëherë kur askush nuk e mendonte se mund të bëhej. Atëherë isha student dhe ndoshta kjo ka qenë xixa e parë, sepse thashë: ‘Po, Shqipëria mund të bëhet dhe ia vlen të kthehesh! Po, mund të transformohet dhe të bëhet një vend modern!’ Më vjen mirë që pas pastrimit, tani po bëjmë edhe një transformim të parkut”, theksoi Veliaj.
Krahas hapësirave të gjelbra dhe trotuareve moderne, “Parku Rinia” ka edhe një reliev të ndryshëm në sipërfaqe të caktuara, çka shërben jo vetëm si një mur akustik, por nxit edhe aktivitete fizike për fëmijët. “Duke qenë se ka trafik, Bulevardi, Lana, “Myslym Shyri”, Ministritë, zona e Tajvanit te rruga “Ibrahim Rrugova”, janë rrethuar nga duna të vogla për të ruajtur akustikën. Edhe tani që flasim nuk dëgjohet asnjë zhurmë sepse akustika është e mrekullueshme, nuk ndihet që je në mes të një zonë urbane. Për ata që kanë kafshë shtëpiake, për qenushët dhe katërputroshët, ka një hapësirë të veçantë me lodra edhe për to. Ju kërkojmë vetëm që ta mbajmë pastër”, tha kryebashkiaku.
Një hapësirë e veçantë i është kushtuar edhe moshës së tretë, ku janë vendosur stola, por edhe tavolina shahu. “Në shumë prej parqeve, edhe te Liqeni, edhe te 1 Maji, apo në disa zona të tjera, kemi vendosur tavolina për shah dhe domino. Më vjen mirë që gjyshërve u kemi rezervuar një hapësirë të veçantë edhe këtu. Nëse duan të miksohen me fëmijët, kemi edhe disa shkallë te amfiteatri, ku mund të ulen dhe të shijojnë nipat dhe mbesat. Por nëse duan të luajnë vetë, kemi një hapësirë edhe për ta”, deklaroi Veliaj.