“Transformohet blloku në Yzberisht”, Veliaj: Qytetarët duan punë, jo sherre e djegie gomash

AKTUALITET


Një tjetër bllok banimi, i kufizuar nga rrugët “3 Dëshmorët” – Rexhep Shala – Joklin Persi” është transformuar rrënjësisht, pas ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve dhe u shpreh se me investimin e bërë këtu, është rritur edhe vlera e pronës së banorëve.

“Këtu ka qenë vërtet një Kandahar. Ish komuna i jepte lejet pa menduar fare për urbanizimin. Tani që kemi mbaruar punë me shumicën e kantiereve të dhëna nga lejet e ish komunës, fillon një sistemim total nga sistemi vertikal, në sistemin horizontal. Hapësira horizontale është hapësira më demokratike. Nuk ka rëndësi nëse ke 500 m2, apo 50m2, kur zbret në tortuar, je njësoj si të gjithë të tjeret, kur del me fëmijën për dore je njësoj si gjithë të tjerët, nuk ka rëndësi ku punon, sa e ke rrogën, nga e ke prejardhjen. Hapësira më demokratike është niveli horizontal, aty ku është trotuari, ku është këndi i lodrave, ku do të jetë shatërvani te sheshi, atje në fund, aty ku është hapësira e biçikletave, aty ku shkon secili të pijë një kafe dhe ndihet i barabartë me të tjeret, në një hapësirë që më në fund po bëhet qytet, si Tirana. Deri dje kemi qenë periferi. Mund të ishte në vijë ajrore afër Tiranës, por ishte një periferi e lënë pas dore, ku ish komuna s’mendoi as për shkollë, as për kopshte, as për çerdhe”, tha Veliaj.


Kryebashkiaku tha se ka disa lajme të mira, sa i përket çerdheve, kopshteve dhe shkollave. “Duke qenë se lejet e ish komunës janë dhënë kuturu, siç i bënte PD-ja në vakt këto punë, na lindi ideja që, më mirë të marrim me qira hapësira ekzistuese nëpër pallate, për të hapur çerdhe dhe kopshtin e ri, pas dy të parëve që hapëm vjet. Në fund të verës do të hapim një garë për shkollat e reja, dhe kjo është edhe një ftesë për të gjitha kompanitë që kanë ekspertizë në ndërtimin e shkollave”, nënvizoi ai.

Në fund, Veliaj ftoi qytetarët që të jenë palë me ata që bëjnë revolucion me punë dhe jo me ata që do të mbahen mend për sherre dhe djegie gomash, apo ata që mezi presin të shkojnë te Gjiri i Lalzit.

“Para se të vinte grupi ynë i punës, ishte grupi tjetër i revolucionit dhe dikush do mbahet mend për sherre e djegie gomash, dikush do mbahet mend për asfalt, për ndriçim, për kanalizime, për këndet e lodrave, për sheshet e pushimit, për hapësirat tona të përbashkëta dhe Sigurisht, për zhvillimin dhe urbanizimin. Bota kështu është ndarë: disa bëjnë vetëm llafe, disa do bëjnë punë. Ftesa ime për të gjithë qytetarët është: Më mirë ejani ta bëjmë revolucionin këtu dhe ta bëjmë këtu urbanizimin, të ndërtojmë një jetë shumë herë më të mirë, secili në shtëpinë e tij, sesa ta bëjmë revolucionin me telekomandë për ata që mezi po presin të shkojnë te Gjiri i Lalzit dhe ta mbyllin stinën e revolucionit. Për të gjithë qytetarët e Tiranës që nuk e kanë shtëpinë te Gjiri i Lalzit, por që jetojnë përditë këtu, ftesa ime është: Ky është revolucioni ynë, kjo është hapësira jonë, këtu është vendi ku ne duhet të transformojmë realitetin”, përfundoi ai.




Skip to toolbar