Tritol makinës së blinduar të kunatit të Domart Konjarit

AKTUALITET


Atentati me eksploziv në makinë, që shpërtheu mëngjesin e së premtes në Tiranë, por fatmirësisht pa viktima, ishte organizuar ndaj kunatit të Domart Konjarit, i cili është një emër i njohur për policinë për vrasje dhe trafik droge. Objektivi ishte Artion Bylyku, një emër që është skeduar mbi 25 vite më parë, por nuk ka shumë të dhëna për të, ndërkohë që makina që përdorte, të cilës iu vu eksploziv, mësohet se ka qenë e blinduar. Policia tha se eksplozivi i përdorur ka qenë tritol, ndërsa grupi hetimor gjeti edhe një sasi tjetër tritoli në sediljen e pasme të makinës, e cila nuk shpërtheu.

Një nga pistat që policia po heton për këtë atentat është edhe lidhja e Bylykut me Domart Konjarin, kjo pasi Bylkyku është kunat i Domart Konjarit, një emër i njohur për policinë, i cili i ka shpëtuar drejtësisë shqiptare dhe asaj franceze për shkak të një mase sigurie të butë të dhënë nga Gjykata për Krimet e Rënda.

Domart Konjari është në arrati ndërsa akuzohet për një sërë veprash penale në Francë si, “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimi i organizatave kriminale”. Konjari u arrestua në nëntor të vitit 2015, për llogari të autoriteteve franceze por pesë muaj më vonë, Apeli i Krimeve të Rënda zbuti masën e sigurimit ndaj Konjarit, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”. Kjo bëri që Konjari të arratisej dhe të jetë ende në kërkim.

Në dosjen që Krimet e Rënda kanë marrë nga autoritetet franceze, renditen me detaje të gjitha veprimtaritë e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani. Hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste, 42-vjeçari Konjari u ka shpëtuar atentateve me armë. Në dosjen që ka policia rezulton se Konjari është i përfshirë në mënyrë direkt ose indirekt në disa vrasje apo tentativa vrasjeje, përveç trafikut të drogës nga Amerika Latine. Rasti i fundit ishte vrasja e Devis Kasmit në Tiranë, e cila dyshohej se ishte kryer me porosi të Konjarit.



Skip to toolbar