Dy tërmete shumë të fuqishëm kanë goditur Venezuelën brenda më pak se një minute sot në 25 qershor, duke shkaktuar shembje ndërtesash në kryeqytetin Caracas dhe duke lënë pas një situatë emergjente.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-ve, tërmeti i parë kishte magnitudë 7.2 ballë Righter dhe u regjistrua pranë San Felipes në shtetin Yaracuy. Vetëm 39 sekonda më vonë u pasua nga një tërmet edhe më i fortë me magnitudë 7.5, i cili u ndje fuqishëm në disa zona të vendit, përfshirë Caracas-in.
Në kryeqytet raportohet se disa ndërtesa janë shembur plotësisht, ndërsa të tjera kanë pësuar dëmtime serioze strukturore. Ekipet e shpëtimit po punojnë në kushte të vështira, duke kërkuar të mbijetuar nën rrënoja. Dëshmitarë në terren dhe gazetarë lokalë raportojnë se njerëz të bllokuar nën ndërtesa të shembura kërkuan ndihmë, ndërsa dëgjoheshin thirrje për shpëtim nga rrënojat.
Autoritetet lokale kanë konfirmuar se në lagjen Chacao janë shembur të paktën dy ndërtesa dhe më shumë se 500 punonjës emergjence janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit. Deri tani janë nxjerrë të gjallë të paktën 18 persona, ndërsa raportohet për 32 të vdekur e mbi 700 të plagosur. Por dyshimet ekzistojnë për mijëra të vdekur.
Zyrtarët paralajmërojnë se mund të ketë dëme të mëdha dhe numër të lartë viktimash në gjithë qytetin. Sipas vlerësimeve të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-ve, ekziston një probabilitet i lartë për pasoja të rënda.
Situata është rënduar edhe në infrastrukturë. Aeroporti ndërkombëtar Maiquetía është mbyllur për shkak të dëmeve serioze, ndërsa pasagjerët janë parë duke u larguar në panik gjatë lëkundjeve. Raportohet gjithashtu për ndërprerje të energjisë elektrike, mungesë sinjali dhe dëmtime në linjat e furnizimit me karburant në disa zona të Caracas-it.
Autoritetet venezueliane kanë shpallur gjendje emergjente dhe kanë vendosur një gjeneral në krye të operacioneve të reagimit. Presidentja në detyrë Delcy Rodríguez, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë, u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin ndërtesat e dëmtuara dhe të qëndrojnë në vende të sigurta për shkak të rrezikut të pasgoditjeve.
