Shembja e hotel “Tropical” në zonën e plazhit në Durrës pas tërmetit të 26 nëtorit, u mori jetën dy vëllezërve nga Kosova Shemsedin dhe Isan Abazi. Pas hetimeve prokuroria arrestoi ndërtuesin Avdulla Osmani, i akuzuar për “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”. Në dosjen e prokurorisë zbardhur nga gazetarja Klodiana Lala për News 24, ky hotel është ndërtuar pa studim gjeologjiko-sizmik, pa projekt konstruksioni dhe objekti ne tërësi, pa mbikëqyrje punimesh, pa zbatim te ndonjë projekti konkret te punimeve dhe me materiale ndërtimi te panjohura lidhur me cilësinë e tyre, por dhe pas legalizimit, hotelit i është shtuar një kat më shumë.
PJESË NGA DOSJA HETIMORE
Avdulla Osmani ka ndërtuar Hotel “Tropikal”, objekt i cili është ndërtuar dhe ka shërbyer si banese, shërbime hotelerie si dhe aktivitete tregtar kati i pare, te regjistruar ne emrin e subjektit “Dule Shpk”. Ndërtimi është realizuar pa studim gjeologjiko-sizmik, pa projekt konstruksioni dhe objekti ne tërësi, pa mbikëqyrje punimesh, pa zbatim te ndonjë projekti konkret te punimeve dhe me materiale ndërtimi të pa njohura lidhur me cilësinë e tyre, por për efekte të marrjes së lejes së ndërtimit dhe legalizimit, projekti është bere mbas realizimit te ndërtimit dhe për të përfituar nga kjo hapësire ligjore është siguruar në dosje një vërtetim sikur ndërtimi është bërë në vitin 1994 ndërsa për efekt të legalizimit janë mbajtur akte në vitin 2005 dhe 2006.
Në dosje thuhet se akti i kolaudimit është i vetëm nga ana sipërfaqësore, i cili është i domosdoshëm për aplikimin e investitorit për të marrë lejen dhe jo për kolaudimin e objektit me imtësi lidhur me qëndrueshmërinë. Nga ana e ndërtuesit ka ndërtuar pa leje objektin, duke shfrytëzuar hapësirën ligjore e ka legalizuar godinën dhe më pas ka kryer ndërtim shtese për te cilin ka aplikuar për leje për një kat shtese, i cili nuk është legalizuar.
