Zjarr në një kantier ndërtimi në Bruksel/ Disa viktima, vijojnë kërkimet për persona të zhdukur

BOTA


Disa persona dyshohet se kanë vdekur në zjarrin që përfshiu një kantier ndërtimi në Bruksel të martën, ndërsa gjashtë të tjerë rezultojnë të zhdukur, thanë autoritetet lokale.

Zjarri filloi në kullën Oxy në qendër të qytetit, ndërsa shkaku është i paqartë, shkruan BBC.

Ndërsa u shua shpejt, kur zjarrfikësit hynë në ndërtesë zbuluan se ishte përhapur në boshtet e ashensorëve, ku dy ashensorë ishin bllokuar.

Ata arritën të hapnin njërën dhe gjetën “disa viktima – ende nuk e dimë saktësisht se sa ishin”, tha Brecht Speybrouck, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Punës në Bruksel.

“Mund të jenë gjashtë personat e zhdukur, por mund të ketë edhe më shumë në ashensorin tjetër ose diku tjetër”, shtoi ai.

Mediat lokale thanë se dy persona ishin dërguar tashmë në spital me djegie të rënda, ndërsa një zjarrfikës u trajtua në vendngjarje pasi u ekspozua ndaj temperaturave të larta.

Kulla Oxy është ende në ndërtim e sipër dhe më përfundim do të ketë apartamente, një hotel, restorante dhe bare. Ndodhet 500 m nga Grand Place, sheshi qendror barok i Brukselit./abcnews.al



Skip to toolbar