Pjesë e grupit “Bajri”, Grima shpallet i pafajshëm

AKTUALITET


Gjykata e Shkodrës ka shpallur të pafajshëm ish trajnerin e Kombëtares së femrave Armir Grima, ish boksierin e Vllaznisë, Nelson Hysa dhe ish portierin e Vllaznisë, Fabjol Rexhepi, të cilët ishin arrestuar si pjesë e grupit Bajri dhe dyshoheshin se trukonin rezultatin e ndeshjeve sportive.

Këtë persona dyshoheshin si të përfshirë në grupin kriminal “Bajri”, por gjykata vendosi të shpallë pafajësinë për sportistët pas kërkesës së bërë nga prokurorja Edlira Cufi e cila kërkoi pafajësi për mungesë provash.

Ish trajneri i kombëtares së femrave, Armir Grimaj është zbuluar rastësisht nga përgjimet telefonike. Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas sinjalizimeve të ardhura nga autoritetet belge dhe holandeze, kishte vënë nën përgjim Safet Bajrin që prej gjashtë muajsh. Bajri dyshohej si koka e një grupi të strukturuar kriminal, që vepronte në Shkodër dhe jashtë Shqipërisë, kryesisht në trafikimin e lëndëve narkotike, pastrimit të parave, gjobëvënieve etj.

Gjatë përgjimeve telefonike të Safet Bajrit, në vëmendje të hetuesve ka ardhur një telefonatë e pazakontë e tij në drejtim të Armir Grimajt, asokohe trajner. Bëhej fjalë për një ndeshje të kategorive inferiore, ku kërkohej ndërhyrja e Grimajt për një rezultat të paracaktuar.

Ndeshja, për të cilën akuzohej Grimaj, është ajo e luajtur më datën 5 maj të vitit 2018 mes Vllaznisë B dhe Tërbunit. Ndeshja ishte përcaktuese për Vllazninë B, e cila kërkonte që të mbijetonte në Kategorinë e Parë, në grupin B të saj.

Ajo konsiderohej si finale për shkodranët. Përgjimet telefonike të Safet Bajrit tregojnë se ky i fundit i ka telefonuar Armir Grimajt përpara ndeshjes dhe i ka kërkuar që të ndërhyjë te Tërbuni në mënyrë që të toleronin në atë ndeshje. Tërbuni kishte disa lojtarë shkodranë dhe Grimaj, dyshohet se ka përdorur influencën e tij që gjërat të shkonin mirë për Vllazninë. Në përgjime, Grimaj flet edhe për shpërblime për rezultatin e asaj ndeshjeje me Tërbunin. Por siç duket provat nuk kanë qenë të mjaftueshme që ish trajneri të dënohej.



Skip to toolbar