Tërmeti i fuqishëm që goditi vendin në 26 nëntor, shkatërroi edhe disa monumente kulture në vend. Kalaja e Krujës dhe ajo e Prezës, por dhe muret antike në Durrës, pësuan dëmtime të rënda nga lëkundjet sizmike. Ndërkohë, Ministria e Kulturës kreu një inspektim të këtyre monumenteve, duke konstatuar se ato janë të pavizitueshme nga turistët.
Ndaj, Ministria e Kulturës vendosi të ndalojë hyrjen në kalanë e Prezës dhe atë të Krujës. Sipas këtij institucioni, ky vendim është marrë për të siguruar jetën e qytetarëve dhe për të mos dëmtuar më shumë monumentet.
“Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë, nuk janë përgjegjëse për çdo pasojë nga thyerja e këtij udhëzimi. Ruajeni jetën tuaj. Ju falenderojmë për mirëkuptimin.”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Kulturës.