“Dita për të treguar solidaritet”, tërmeti bën bashkë PS e PD

AKTUALITET


Solidariteti për të prekurit nga tërmeti i fuqishëm ka harrura ndasitë politike dhe ka bërë bashkë PS dhe PD duke treguar anën e tyre njerëzore. Në Elbasan është mbajtur aktiviteti ku janë bërë bashkë biznesmenët nga i gjithë vendi, në mënyrë që të japin kontributet e tyre për rindërtimin e banesave të qytetarëve të prekur nga tërmeti. Në aktivitetin për mbledhjen e fondeve kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla dhe nënkryetari i PD dega Elbasan Zamir Muzhaqi.

Balla tha në fjalën e tij se sot është dita për të treguar solidaritet duke falënderuar përfaqësuesin e PD të pranishëm duke shpjeguar se qëllimi është t’i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Edi Rama për të kontribuuar përmes llogarisë në e-albania për familjet e prekura nga tërmeti.


“Sot është dita për të treguar solidaritet. E mora fjalën thjesht për të falënderuar një përfaqësues të Partisë Demokratike të Elbasanit që është këtu bashkë me ne e që kjo nisi thjesht, ishte një ide e vogël u mbush me kaq shumë njerëz. Është ftuar i gjithë komuniteti i biznesit të Elbasanit por edhe plot zona të tjera. Qëllimi është t’i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Edi Rama, qeverisë për të kontribuar përmes një llogarie që është krijuar në e-albania dhuro, përmes këtij apeli në e-albania dhuro kushdo që ka mundësi si ai gjyshi që dhuroi 10 euro që kishte nga pensioni kështu të bëjmë të gjithë por komunitetit të biznesit i bie pak më shumë përgjegjësia të kontribuojë”, deklaroi Balla.

Ndërsa nënkryetari i PD dega Elbasan Zamir Muzhaqi falënderoi organizatorët dhe donatorët duke theksuar se strukturat e PD janë më këmbë për të ndihmuar të gjithë të prekurit nga tërmeti.

“Në emër të PD Elbasan dhe emrin tim personal të falënderoj organizatorët e këtij evenimenti, donatorët që janë prezentë dhe që nuk janë por që nga data 27 janë prezentë në dhimbjen e vëllezërve tanë në Durrës e Thumanë. E gjithë struktura e PD është në këmbë”, tha Muzhaqi.




Skip to toolbar