U strehuan në Kosovë pas tërmetit, Haradinaj: Familjet do t`i kthejmë me dinjitet

AKTUALITET


Pas kalimit të situatës së vështirë pas tërmetit, familjet shqiptare që u strehuan në Kosovë do të rikthehen në vend. Kryeministri në Detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj njoftoi të dielën se familjet shqiptare do të rikthehen me dinjitet në Shqipëri. Ai tha se do të vihen në dispozicion mjete transporti për ta, duke u kërkuar angazhim të gjitha komunave në Kosovë që të marrin masa për kthimin e familjeve në mënyrë dinjitoze.

“Kosova ka hapur dyert dhe zemrat, për t’i strehuar dhe ndihmuar gjithë bashkëkombësit tanë, pas tërmetit me pasoja tragjike që preku Shqipërinë. Tani pas kësaj faze emergjente të përkrahjes dhe akomodimit, ne po hyjmë në një fazë tjetër, të rikthimit të të gjithë banorëve të Shqipërisë në vendlindjen e tyre”.


“Përkitazi me këtë proces, ne kemi vënë në dispozicion transport për rikthimin e të zhvendosurve, por sot kërkojmë që në këtë etapë të rikthimit vullnetarë të përfshihen edhe të gjitha Komunat, ku ka të strehuar, duke vënë në dispozicion mekanizmat e tyre, numër kontakti, Drejtorit e emergjencave dhe transportin”.

“Secili qytetarë, meriton një kthim të dinjitetshëm dhe Institucionet tona e kanë për obligim, ta garantojnë dhe të respektojnë këtë të drejtë. Zyra e Kryeministrit, do të jetë në gjendje gatishmërie për çdo kërkesë eventuale të ndihmës, qoftë për Komunat tona, qoftë për autoritetet shqiptare”.

“Po nesër, të gjitha ndihmat e grumbulluara nga qytetarët tanë në Kazermën e FSK-së në Prizren, do të dërgohen nga Ushtria jonë, në mënyrë institucionale, në depot e rezervave shtetërore të Shqipërisë. Kosova do të vazhdojë të jetë në gjendje gatishmërie, për çdo ndihmë të kërkuar, për popullin e Shqipërisë”, shkruan Haradinaj.




Skip to toolbar