UEFA i jep Partizanit 800 mijë euro, përfitojnë dhe Kukësi, Laçi e Teuta

SPORT


Klubet shqiptare që luajtën në Europë, ndonëse nuk shkuan shumë larg, mund të gëzojnë pasi do të presin shpërblimin financiar që jep UEFA për ekipet që marrin pjesë në kompeticionet e saj. Ekipi i Partizanit, do të fitojë nga pjesëmarrja në Europë, së bashku me shpërblimin si Kampion i Shqipërisë, rreth 800 mijë euro. Kjo është një shumë e konsiderueshme të ardhurash, që do të thotë siguri financiare për klubin dhe lojtarët.

Teuta, Laçi dhe Kukësi do të përfitojnë secili nga 240 mijë euro, si ekipet që luajtën në turin e parë të Europa League. Ky është shpërblimi që UEFA jep vetëm për pjesëmarrjen në turet kualifikuese të saj, ndërsa në rast se këto ekipe do të kishin kaluar turin e parë, shuma e fituar nga pjesëmarrja në Europë do të ishte sa dyfishi që do të fitojnë këtë sezon.


Ndonëse nuk arritën të bënin më të mirën në kupat e Europës, shumat financiare që përfitojnë katër ekipet shqiptare nga UEFA, është ndihmë e konsiderueshme për të përballuar shpenzimet vjetore të klubeve, kryesisht ato të pagave të lojtarëve.

Në kampionatin kosovar, që u përfaqësua me dy ekipe, skuadra e Feronikelit ka arkëtuar plot 1 milionë euro nga pjesëmarrja në Europë, ndërsa Prishtina ka përfituar 220 mijë euro. 800 mijë euro ka përfituar ekipi tjetër shqiptar, Shkëndija e Tetovës në Maqedoninë e Veriut.




Skip to toolbar