Vaksina kundë Covid19, BE porosit 400 mln doza

AKTUALITET


Situata me koronavirus në Europë ka angazhuar edhe një herë vendet më të prekura në ndërmarrjen e masave të reja për ndalimin e përhapjes së tij.

Brukseli zyrtar nga ana tjetër konfirmon mbështetjen për të gjitha vendet anëtare.


“Do t’i mbajmë premtimet tona”, njoftoi nëpërmjet një postimi në Twitter presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen sipas së cilës, BE ka firmosur marrëveshjen për 400 milionë dozat e para të vaksinës që do të certifikohet e para.

Por deri në atë moment, kontinenti i vjetër duhet të parandalojë rrezikun.

Gjermania regjistroi një rekord të ri gjatë kësaj jave me 1449 raste të infektuarve të rinj në 24 orë.

Autoritetet bëjnë thirrje për një ndërgjegjësim më të madh për të mos lejuar krijimin e një situate kaotike. Shtohet ndërkohë lista e vendeve me rrezikshmëri të lartë.

Spanja iu bashkohet vendeve të njoftuara më herët, përjashtuar Ishujt Kanarie. Çdokush që vjen nga ky shtet do i nënshtrohet testeve dhe do izolohet deri në daljen e rezultateve. Spanja është mes vendeve problematike për shkak të numrit të lartë të të infektuarve. Rreth 3 mijë të tillë u raportuan vetëm në 24 orë.

Ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa njoftoi 11 masa të reja, mes të cilave është edhe ndalimi i duhanpirjes në ambiente të jashtme nëse nuk respektohet distancimi fizik prej 2 m. Ndalohet grumbullimi i më shumë se 10 personave, mbyllen diskotekat dhe do të ketë një kontroll të shtuar për higjienën në bare.

Masat përfshijnë edhe Britaninë e Madhe, e cila njoftoi karantinën 14 ditore për këdo që vjen nga Franca, Holanda, Monako dhe Malta. Njoftimin e bëri në rrjetet sociale, Sekretari i Shtetit, Grant Shapps dhe si kundërpërgjigje Franca njoftoi të njëjtin vendim për këdo që vjen nga ishujt. Përgjegjësi i shëndetit publik francez njoftoi gjithashtu si zonë me rrezik të lartë Parisin dhe Marseille.

Situata paraqitet e rënduar edhe në Greqinë fqinje. Kryeministri Mitsotakis u bëri thirrje të rinjve që të respektojnë masat e njoftuara nga autoritetet. Qeveria vendosi izolimin nga mesnata deri në orën 07:00 të mëngjesit që më parë ishte aplikuar në Mykonos dhe të tjerë ishuj turistikë.




Skip to toolbar