Kryebashkiaku i ri i Shkodrës, Valdrin Pjetri ka reaguar pas akuzave të PD-së dhe kërkesës që selia blu dërgoi në prokurori për të verifikuar nëse ai ka fshehur të kaluarën në formularin e dekriminalizimit. Pjetri tha se është i hapur për çdo lloj verifikimi, ndërsa hodhi poshtë akuzat e ngritura nga opozita.
“Është e vërtetë që gjatë javës së fundit kam qenë në qendër të sulmeve. Unë kam thënë se jam i hapur për çdo lloj verifikimi. Ky ngjan më shumë me një gjyq publik se me diçka tjetër. Asgjë nuk më ndal të punoj për bashkinë e Shkodrës, Unë kam qenë disa herë në Itali. Asgjë nuk është e vërtetë. Shkresa tashmë është në prokurori. Nuk kam pasur asnjë gjykim apo arrest”, tha Pjetri.
I pyetur nëse është e vërtetë akuza e PD-së se ai nuk ka udhëtuar për 10 vjet drejt Italisë, Pjetri tha se nuk është e vërtetë dhe mjafton të shikohen të dhënat e TIMS.
“Nuk është e vërtetë, kam shkuar disa herë. Po të shikohet TIMS është e verifikueshme dhe prandaj kam këtë lloj qetësie”, tha kryebashkiaku i Shkodrës.
Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme që të verifikojë figurën e Valdrin Pjetrit. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi përmes një letre iu drejtua prokurorisë duke thënë se ka të dhëna publike që provojnë se Valdrin Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak të ligjit të dekriminalizimit.