Veliaj: Brenda majit nis shpërndarja e Kartës së Studentit. Ja përfitimet

Më të fundit


Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u tha sot studentëve se brenda muaji maj do të nisë shpërndarja e Kartës së Studentëve prej së cilës ata do të përfitojnë jo pak, por 40 shërbime. Veliaj se bashku me Ministren e Kulturës, Elva Margariti zhvilluan sot një dëgjesë me studentë që ndjekin studimet e larta në Tiranë, ku njoftuan disa nga mundësitë dhe lehtësirat që do të ofrojë Karta e Studentit, për më shumë se 40 shërbime, muzeume apo biblioteka.

Veliaj vlerësoi punën e bërë me plotësimin e pikave të Paktit për Universitetin dhe tha se Karta e Studentit ka nisur të prodhohet si document, ndaj brenda këtij sezoni universitar do të shpërndahet për gjithë studentët që mësojnë në universitetet e Tiranës.


“Karta është dizajnuar dhe tashmë ka nisur prodhimi. Ne do të jemi në gjendje që javën e tretë të majit të fillojmë ta shpërndajmë, dhe të fillojmë ndoshta nga universitetet e vogla të Tiranës, me më pak studentë, që të testojmë çështjen e përdorimit, derisa pastaj ta masivizojmë në fund të këtij semestri, ose në mes të korrikut, në varësi kur është shtyrë kalendari i mësimdhënies, për t’u siguruar që të gjithë studentët të kenë kartën e tyre”, tha Veliaj.

Duke u ndalur te lehtësirat dhe mundësitë që krijon karta për studentët, ai theksoi se ata do përfitojnë jo vetëm nga shërbimet që ofrojnë institucionet shtetërore, por edhe ato private. Ai bëri të ditur se shumë kompani private janë shprehur të gatshme që të bëhen pjesë e lehtësirave dhe ofrimit të shërbimeve me kosto të ulët për studentët.

“Jam i lumtur që menjëherë pas dëgjesës që bëmë me ministren e Arsimit, kanë qenë një duzinë, 10-12 kompani private nga ato që ofrojnë ushqim, te ato që ofrojnë rroba, kancelari, ose shërbime të tjera, që u ofruan menjëherë të ishin pjesë e këtij projekti. Jam i bindur që edhe pas dëgjesës së sotme do ketë shumë kompani që pasi të dëgjojnë ministren e Kulturës se ku ofrohen shërbimet, do duan të bashkohen”, u shpreh Veliaj.

Një tjetër lajm i mirë i dhënë nga kryebashkiaku gjatë kësaj dëgjese ishte edhe mundësia që do krijohet në të ardhmen për studentët shqiptarë që falë kësaj Karte të mund të përfitojnë edhe nga shërbimet që ofron Karta Europiane e Studentit.

“Ne kemi aplikuar për të qenë Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022, kemi dalë të parët në votimin e parë, me pesë finalistë. Nëse vazhdon kështu edhe në votimin e dytë në shtator, me gjasë Tirana do të jetë kryeqyteti Europian i Kulturës. Duam jo vetëm që të kemi një histori suksesi me emetimin e Kartës për studentët tanë, por do donim gjithashtu që deri në vitin 2022, Karta jonë e Studentit të ishte e lidhur edhe me Kartën Europiane të Studentëve”, nënvizoi Veliaj.

Sa i përket detyrimeve që lindin nga Pakti për Universitetin, Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikonstruksionin e shumicës së konvikteve në Qytetin Studenti, ndërsa bëri të ditur se me mbështetjen e KFË do të nisë puna edhe për 5 konviktet e tjera te Inxhinieria e Ndërtimit. Gjithashtu, ai u shpreh se pjesë e kësaj nisme do bëhen edhe konviktet e Universitetit Bujqësor që do të lirohen nga ata që kanë zaptuar prej vitesh për t’ia kthyer studentëve të rikonstruktuar. Ndërkohë, për gjithë zaptuesit ai deklaroi se do të ofrohen programe sociale strehimi nga Bashkia Tiranë.

“Kemi filluar një procedurë të dhënies së bonusit të qirasë e banesë sociale kush ka okupuar konviktet në Institutin Bujqësor prej kaq shumë vitesh, që më pas të lirohen për studentët dhe të kemi mundësi më pas të punojmë aty”, tha Veliaj.




Skip to toolbar