Kandidati i PS-së për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa ka votuar i ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës që të marrin pjesë në zgjedhje për të përcaktuar të ardhmen e qytetit dhe të lënë pas mëritë politike. I gjendur disi i vetëm në këtë fushatë zgjedhore (për shkak të mungesës së PD-së) Veliaj nuk ka harruar të përmendë rivalin e tij, Arben Skënderin, i cili garon përballë tij nën siglën e partisë Bindja Demokratike.
“Jam shumë i emocionuar sot teksa vendosim si do vazhdojë qyteti. I bëj thirrje qytetarëve të dalin të votojnë. Këto zgjedhje janë për qytetin tonë, për çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Ndaj politizimi për zgjedhjet nuk është për të larë hesapet që dikush ka me të kaluarën pasi kjo nuk ka sens, por ka të bëjë me të ardhmen e qytetit. Ndaj dhe dua të falenderoj garuesin tjetër. Arben Skënderi është një çun Tirone, pavarësisht bindjeve të ndryshme që ne kemi, një gjë na bashkon se kemi vendosur që fëmijët tanë, t’i rrisim këtu. Këtë qytet e kemi shtëpinë tonë. Ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë në këto zgjedhje”, tha Veliaj i cili më pas bëri thirrje që qytetarët të gjejnë një moment për të hedhur votën pasi ajo përcakton të ardhmen.
Erion Veliaj në këto zgjedhje ka pasur përballë kandidatin e Bindjes Demokratike, Arben Skënderi i cili më parë ka mbajtur postin e drejtorit në Bashkinë Tiranës në kohën kur ajo drejtohej nga Basha. Por kur PD vendosi të mos futet në zgjedhjet vendore, Skënderi si shumë demokratë të tjerë iu bashkua Bindjes Demokratike, të Astrit Patozit.