Veliaj, i ashpër me Metën dhe opozitën: Shkrepin pushkët kundër Shqipërisë

AKTUALITET


Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ka qenë i ashpër dhe i drejtëpërdrejtë në replikë me kreun e shtetit, Ilir Meta teksa i tha se “askush nuk duhet të shkrepë pushkë kundër Shqipërisë”, një mesazh ky edhe për opozitën dhe lobimet e saj kundër integrimit në BE. Veliaj dhe Meta morën pjesë bashkë në festimet me rastin e 77 vjetorit të konferencës së Pezës.

Në fjalën e tij Meta tha se antagonizmi i theksuar politik gjatë këtyre viteve ka sjellë vonesa në integrimin e Shqipërisë në BE. Ai u bëri thirrje palëve që të lënë mënjanë interesat afatshkurta dhe të përqendrohen tek integrimi evropian. Meta foli edhe  për kushtet që mund t’i vihen Shqipërisë nga BE më 18 tetor dhe tha se është i gatshëm të presë kushte edhe për institucionin e presidentit “për të parë qartë se kush e vonon këtë proces”.

Meta ‘thumboi’ sërish edhe procesin zgjedhor të 30 qershorit, kur vuri theksin tek pluralizmi i Konferencës së Pezës ku morën pjesë pa bindje politike, fetare, e ideje.

“Qëllimi ynë sot, interesi ynë kombëtar është integrimi në BE. Një proces, të cilin antagonizmi politik e ka vonuar shumë. Sjellja ime si president ka qenë në funksion të këtij interesi kombëtar që në 18 tetor, të gjithë aktorët politikë, t’i kërkojmë BE t’i thotë një PO çeljes së negociatave për Shqipërinë. Nëse do të ketë kusht, do të ketë për çdo institucion dhe për presidentin e republikës që të jetë e qartë se kush e pengon këtë proces”, tha Meta.

Në replikë kryebashkiaku Veliaj tha se e mbështet fuqishëm pluralizmin politik në Shqipëri, por ai shtoi se pluralizëm nuk do të thotë që të shkrepësh me pushkë kundër Shqipërisë. Duke bërë një paralelizëm me kohën e luftës ai tha se partizanët ishin ata që morën pushkët e luftuan. Ndaj dhe sot sipas Veliaj, të mos luftojnë vetëm partizanët por të gjithë (edhe Meta edhe opozita).

“Shpesh them 1001 të zeza për njëri -tjetrin, jo vetëm në kafene po edhe në debate politike, por mos harrojmë të themi disa të mira për njëri -tjetrin. Presidenti e tha me të drejtë, ka qenë edhe një hapësirë pluralizmi, të gjithë e dimë që ishte në Pezë, po vetëm partizanët vajtën shkrepën armët. Pushka sot nuk është vetëm plumb, është edhe fjala. Pluralizëm po, kudo në çdo fushë, nuk mundet të kemi pluralizëm në tavolinë dhe vetëm partizanët në luftë. Duhet të inkurajojmë pluralizmin kudo, edhe kur shkojmë në kuti të votimit, edhe flasim në kancelaritë e huaja, ama kurrë nuk do të shkrepim pushkë kundër Shqipërisë. Dhe pushka sot nuk është vetëm me plumb por dhe me fjalë me çfarë shkruajmë. Ndaj unë do do t’i bashkohem thirrjes duhet pluralizëm, por kudo”, u shpreh Veliaj.

Pas ceremonisë Meta u pyet nga mediat për këtë deklaratë të Veliajt dhe tha se duhet të lexojë raportin e OSBE/ODIHR-it.

“Nuk ka patur asnjë institucion më koherent në respektimin e pluralizmit, bashkëpunimit, te standardeve evropiane dhe shtetit të së drejtës, sesa Presidenti i Republikës. Të gjithë ata që kanë paqartësi të lexojnë raportin final te OSBE/ODIHR”, tha Meta.

Shfaqja e Metës në krah të përfaqësuesve të maxhorancës gjatë ceremonisë së 77 vjetorit të konferencës së Pezës u lexua si një zbutje e qëndrimeve të tij në prag të shkarkimit, duke pasur parasysh se qëndroi shumë pranë Vasilika Hysit, (anëtare e komisionit hetimor); por replikat që shkëmbyen me Veliajn tregojnë të kundërtën. Meta vijon të lëshojë akuza kundër maxhorancës dhe 30 qershorit, dhe kjo e fundit (maxhoranca) vijon me procedurat për shkarkimin e tij./realstory.al



Skip to toolbar