Veliaj jep lajmin e mirë: Rriten pagat për punonjësit e bashkisë dhe edukatoret

AKTUALITET


Një lajm i shumëpritur vjen për punonjësit e Bashkisë së Tiranës, veçanërisht për ata që kanë shërbyer për 20-30 vite, duke marrë parasysh vlerësimin e pensioneve dhe pagave me një formulë të re.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, njoftoi ndryshimet për të gjithë nënpunësit civil, duke i unifikuar me pagat e administratës qendrore.

Në këtë mënyrë, specialistët e Bashkisë do të trajtohen njësoj si kolegët e tyre në ministri, ndërsa shefat e sektorëve do të kenë të njëjtin trajtim financiar si në administratën qendrore.

“Ndryshon paga e specialistëve të Bashkisë dhe merr një rritje prej 100 mijë lekësh të vjetra të pagës për pozicion, duke unifikuar gjithashtu me specialistët e të njëjtës kategori në administratën qendrore. Kjo barazohet sot me këtë vendim të këshillit bashkiak. Në këtë kuadër është parë e domosdoshme që ta përfitojnë këtë shtesë edhe punonjësit administrativ të aparatit të Bashkisë që janë punonjësit e shërbimit, magazinier, pastrues dhe njerëz që bëjnë këto shërbime për qytetin tonë. Pika 8 ka të bëj prapë për një lajm të mirë, por tani për institucionet e varësisë së Bashkisë së Tiranës për miratimin e niveleve të pagës të punonjësve të Policisë Bashkiake të ndryshuar. Ka të bëjë me ndryshimin e llogaritjes të elementit shtesë për vjetërsi në punë. Pra, duke njësuar në mënyrën e llogaritjes së këtij elementi dhe për punonjësit e tjerë të institucioneve të administratës publike qendrore dhe vendore. Gjithashtu policëve bashkiak dhe punonjësve mbështetës u jepet një shtesë për kushte pune mbi pagën bazë mujore të klasës përkatëse në masën 40 mijë lek të vjetra në muaj. Pra nga muaji tjetër policët bashkiak dhe stafet mbështetëse do të marrin një shtesë të pagës 40 mijë lek në muaj”, tha Veliaj.

Miratimi i Pagave për njësitë administrative Kryebashkiaku Veliaj prezantoi gjithashtu një vendim që përmirëson pagat për njësitë administrative, pa dallime politike. Ky vendim përfshin gjithashtu rritjen e shpërblimit për ndërlidhësit me komunitetin, duke garantuar një trajtim më të mirë për ata që kryejnë funksione emergjente dhe të tjera.

“Të gjithë e keni sjellë si shqetësim që edhe kryeplaku i fshatit edhe si komunitet por edhe si njësi administrative ka një trajtim diskriminues në varësi të numrit të banorëve dhe të largësisë që ka dhe të vështirësisë së punës në terren. Për efekt të kategorizimit të pagave Bashkia e Tiranës ka në varësi 27 njësi administrative, më e madhja në Republikë.11 janë njësi të mirëfillta bashkiake, 13 janë ish-komuna dhe 3 janë lagje, siç është Fresku, Liqeni i Thatë dhe lagjja “Rilindja”.

Për efekt të kategorizimit të këtyre pagave sipas vendimit të këshillit të ministrave njësitë administrative janë grupuar në bazë të numrit të banorëve në territoret ky kryejnë funksionet. Ky projekt vendim parashikon, rritjen e vlerës së pagës për pozicion sipas numrit të banorëve në njësinë administrative me një rritje mesatar nga 15 deri në 25 %.Ndryshimi e llogaritjes e elementit prapë shtesë për vjetërsinë në punë të pensionit duke e njësuar me mënyrën e llogaritjes së elementit për nënpunësit e tjerë të institucioneve të administratës publike.Pra dhe në njësitë administrative, llogaritja e vjetërsisë në punë me 2% do të jetë e njëjtë me institucionet e tjera. Për të gjithë kryepleqtë, paga mujore ose le të themi dieta mujore do të jetë 155 mijë lek të vjetra.

Miratimin e shpërblimit mujor për 250 ndërlidhës me komunitetin në masën 100 mijë lek. Kështu që edhe ndërlidhësit e komunitetit që kryejnë funksion sidomos në raste emergjencash, unë besoj që kanë një trajtim më dinjitoz me këtë rritje. Ndërkohë për institucionet e varësisë, këtu fus institucionet e varësisë që kemi gjetur në Bashkinë e Tiranës plus të rejat që janë krijuar,si Agjensia e Parqeve dhe e Rekreacionit, Kopshti Zoologjik, Tirana Parking e kështu me radhë. Edhe këto ndryshime vijnë si rrjedhojë e rritjes së pagës në administratën qendrore dhe vendore në masën 15 deri në 25 %”, deklaroi Veliaj.

Pagat e Edukatoreve të Bashkisë së Tiranës Në fund, Veliaj dha lajmin më të mirë për edukatoret e Bashkisë së Tiranës. Rroga bazë e edukatores propozohet të rritet nga 55,000 lekë të rinj aktualisht në 58,000 lekë të rinj, duke reflektuar një përmirësim të rëndësishëm për këta profesionistë të rëndësishëm të qytetit.

Për punonjësit mbështetës dhe specialiteteve të ndryshme, si pastruesit, hidraulikët dhe elektricistët, do të ketë gjithashtu një shtesë mujore prej 4,000 lekësh të rinj, që përfitojnë mbi 5,000 punonjës të Bashkisë.

Vendimet e marra sigurojnë barazinë dhe trajtimin dinjitoz të të gjitha kategorive të punonjësve të Bashkisë, duke i barazuar me standardet e administratës qendrore dhe duke përmirësuar kushtet e punës për të gjithë.



Skip to toolbar