Veliaj krah familjeve të policëve të vrarë: Na duhen heronjë që punojnë me ndershmëri

AKTUALITET


Kryebashkiaku Erion Veliaj ka shprehur gatishmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mbështetur të gjitha familjet e dëshmorëve të atdheut për të lehtësuar jetesën, teksa mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të fondacionit “Gjurma”, i krijuar pikërisht me këtë mision.

“S’më duket strategji e gabuar që vendet më të zhvilluara hero kanë policin, kanë zjarrfikësin, kanë atë që punon me ndihmën e shpejtë, me Emergjencat, në spital. Besoj që kultivimi i këtij lloj heroi që ka nevojë shoqëria jonë, është jashtëzakonisht e nevojshme. Dhe besoj shumë që një pjesë e rolit të fondacionit, do të doja që si Bashki e Tiranës të na konsideronit mbështetës. Nëse keni shtëpi në territorin e Tiranës, do të ishim shumë të lumtur që të kontribuonim, në të gjitha mënyrat”, theksoi Veliaj, teksa solli në vëmendje edhe rindërtimin në kohë të shtëpisë së një prej efektivëve të Policisë, banesa e të cilit u shkatërrua nga tërmeti.

Duke iu drejtuar Drejtorit Ekzekutiv të këtij Fondacioni që është ngritur për të ndihmuar fëmijët e 200 punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës, Veliaj u shpreh se shoqëria ka nevojë për heronj që me punë, talent e duke zbatuar ligjin mund të tregojnë që ky vend bëhet dhe në këtë vend mund të ecet përpara.

“Unë jam vetë një fëmijë ushtarakësh nuk jam rritur në Bllok, jam rritur me një nënë që me shumë vështirësi arriti të na promovonte një sjellje, kulturë, notat e mira pavarësisht se mbiemri im nuk hapte asnjë derë. Gjithmonë krenohem kur shoh djem edhe vajza ku në një kulturë gjobvënie, në një kulturë të të fortit, të arrogantit , të atij që mundohet me shantazh të eci përpara, duhet një antikulturë. Duhen disa heronj që me punë, që me talent, me djersë, me ndershmëri duke zbaruar ligjin mund të tregojnë që ky vend mund të bëhet dhe në këtë vend mund të ecet përpara”, tha ai.

Veliaj apeloi që njerëzit e uniformës duhen respektuar gjithmonë dhe jo vetëm në ditët e vështira kur ke nevojë për ta. “Ndonjëherë ne mendojmë për Institucionet ligjzbatuese, për ata që janë me uniformë, për ata që mbajnë simbolet e shqiponjës dykrenore, vetëm kur jemi në hall. Në ditët e mira ne nuk mendojmë, të jemi të sinqertë. Ne mendojmë për 112-ën kur kemi aksident, kur kemi një përmbytje, kur kemi një tërmet, kur kemi një nevojë imediate, kur kemi një vjedhje, kur kemi një ndërhyrje brutale në jetën tonë. Dhe besoj që një pjesë e misionit të fondacionit, në dallim nga policia që është gjithmonë në një situatë emergjence, pra gjithmonë po të bjerë 112 për të dhënë një ndihmë diku, duhet të jetë ndoshta një kujtesë konstante. Jo vetëm kur lind nevoja dhe kur të gjithë radarët e vëmendjes tonë janë te ndihma që mund të japë Policia e Shtetit, por si një mënyrë për të kultivuar kulturën ndaj respektit të uniformës çdo ditë”, tha Veliaj.



Skip to toolbar