“Të përveshim mëngët për fitoren tonë në 2025-n, për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, si e vetmja forcë që bën shtet dhe qytet”. Kështu deklaroi Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi me strukturat e kësaj force në zonën e Kombinatit.
Veliaj i krahasoi protestat e dhunshme të opozitës para Bashkisë së Tiranës me shfaqjet e talebanëve kundër Perëndimit.
“Forcat politike që kemi përballë, në 2024 kanë ende mentalitetin e 1994: dhunë, dhunë, dhunë; shpif, shpif, shpif; baltë, baltë, baltë! Ka vetëm dy parti në botë që djegin goma: PD-ja, me vulë, pa vulë, copë e çikë si janë ata, dhe partia e Talebanëve në Afganistan. Është e turpshme që sot, në 2024-ën, kundërshtarët tanë nuk dinë të komunikojnë. E vetmja gjuhë që dinë është godit policinë, godit objektet e kulturës, siç është godina e Bashkisë, digj goma te Parlamenti, digj goma te Bashkia, tmerro turistët”, tha ai.
Ai theksoi se Sali Berisha dhe Ilir Meta flasin me të njëjtën gjuhë dhune si në vitin ‘94.
“Ndaj motra dhe vëllezër, me vulë, pa vulë, ata janë ata që janë.
Thoshte Mitrush Kuteli: “Nuk e di në fshatin tuaj, por në fshatin tonë 2-3 lugetër dalin çdo pranverë”.
E pra, 2-3 lugetër nëpër dritare i kemi në çdo pranverë. Është e pashmangshme! Se bëhen bashkë, se bëhen copë e çikë, se bëhen kokoshi një thelë, se janë me vulë, se janë pa vulë, janë të njëjtët, 2-3 lugetër. Saliu, Ilir Meta dhe ndonjë tjetër që vazhdojnë flasin sikur është ’94-a. Digj goma dhe shkatërro Shqipërinë”, shtoi Veliaj.
Ai nënvizoi se fakti që shumica dërrmuese e anëtarëve të rinj zgjedhin PS-në, mobilizon më shumë strukturat për të arritur fitoren e radhës në 2025.
“Fakti që shumica dërrmuese e anëtarëve të rinj që angazhohen në politikë, 6 mijë në Qarkun e Tiranës, zgjedhin Partinë Socialiste, na bënë më të përgjegjshëm, na bënë më të gatshëm, më të mobilizuar dhe më të motivuar, që me këta anëtarë të rinj të mobilizohemi që tani, të përveshim mëngët për fitoren tonë në vitin 2025, për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, si e vetmja forcë që bën shtet dhe qytet. Që nga Shpallja e Pavarësisë, nën drejtimin e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, vendi po jeton ditët e veta më të mira, por ditët më të mira i kemi akoma përpara”, deklaroi ai.