Dikur një zonë që votonte djathtas, tashmë Kombinati është kthyer në udhëheqës të fitores së socialistëve në kryeqytet. Drejtuesi Politik i PS për Qarkun, Erion Veliaj, falenderoi socialistët për sakrificat e treguara ndër vite, për ta bërë PS forcë të parë.
“Kombinati është një dashuri e madhe. Është gjithmonë i pari për entuziazëm, i pari në beteja, i pari në fitore. Sot jam mirënjohës jo vetëm për Petron, por për Belindën, për Saimirin, për Erion Braçen, për të gjithë ata që, ndër vite, secili ka vënë tullën e tij, ka dhënë kontributin e tij, duke dhënë nga energjia e tij, një copë të zemrës së tij për dashurinë tonë të përbashkët, për familjen tonë të përbashkët, për skuadrën tonë të përbashkët, Partinë Socialiste të Shqipërisë. Skuadra më fitimtare, më patriotike, më progresiste, më europiane”, tha ai.
Ai nënvizoi se nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa të lësh pas një qytet dhe një shtet më të mirë për gjeneratën tjetër.
“Këtë nuk e bën dot çdo forcë politike! Shqipëria ka mbi 100 parti të regjistruara në gjykatë, nga të 100-ta, vetëm një bën shtet dhe bën qytet; bën çerdhe dhe shkolla; bën kopshte dhe parqe; ndërton lagjet e tërmetit dhe infrastrukturën moderne:
Ajo quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Sot do të doja që t’i dedikoja pak kohë të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e kësaj familjeje, që nga ’91-shi. Disa i dhanë jetën e tyre në 21 janar, disa të tjerë, si Remzi Hoxha, u zhdukën nga SHIK-u i Saliut. Disa të tjerë, si Erion Braçe, Petro Koçi, Edi Rama, Servet Pëllumbi dhe Blendi Gonxhe, u rrahën barbarisht sepse ishte një kohë kur, për të bërë karrierë në shtet, duhet të rrihje një socialist, duhet të zhdukje një socialist, duhet të vrisje një socialist. Këto ishin kohët e vështira”, kujtoi Veliaj.