Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-rivali i tij në zgjedhjet e 30 qershorit, Arben Skënderi, kanë qenë të ftuarit e parë të emisionit Real Story të gazetarit Sokol Balla në News 24. Përballë dy analistëve, Erl Murati dhe Agron Gjekmarkaj, Veliaj ka shpjeguar fillimisht deklaratat ndaj Ilir Metës në aktivitetin e mbajtur në Pezë të hënën, në kujtim të Konferencës së Pezës. Veliaj u shpreh se “nuk kam asgjë personale me Presidentin, por s`mund t`i shmangesh betejave kur flet për pluralizëm”. “Unë nuk kam asgjë personale. Thjesht gjërat duhen thënë siç janë. Nëse një kryetar bashkie merr përsipër të pastrojë monumentet nga llotot e Presidentit. Nëse do evokojmë histori të pluralizmit, duhet ta themi prapë historinë të plotë. Kur u shkrehën pushkët vetëm një pjesë vajti të luftonte gjermanin, pjesa tjetër luftoi shqiptarin. Asgjë personale me Presidentin. Por Nuk mund të predikosh te partizanët, dhe tu dalësh para fadromave të bashkisë, dhe të flasësh për pluralizëm kur u shmangesh betejave”, u shpreh Veliaj.
Më tej, Veliaj është shprehur se nuk ka pasur kohë të lexojë raportin e Ilir Metës për mbrojtjen përballë Komisionit të Venecias. Sipas tij, gjatë të hënës i është përkushtuar hapjes së shkollave, duke treguar se Tirana ka përfituar disa shkolla të reja si bashkëpunim mes bashkisë dhe biznesit privat. “Nuk e kam lexuar raportin e Metës. Po të kisha kohë të lexoja raportin, do rrija më shumë me tim bir. Në thelb ne do paguajmë me këste shkolla sepse nuk i kemi ato lekë. Ky është një problem akut, që nuk i thua dot Tiranës ‘që ne nuk kemi lekë dhe nuk do bëjmë shkolla’. Nga familjarët vilen më pak se 2 milion lekë në vit. Në momentin që gjysma janë o pensionist, persona me aftësi të kufizuar apo me ndihmë ekonomike, dhe kjo shumë nuk mblidhet”, tha Veliaj.
Ndërkohë, duke folur për mësimin me dy turne, Veliaj u shpreh se tani kanë mbetur vetëm dy gjimnaze ku zhvillohet mësim me dy turne. Ai tha se për të arritur këtë është punuar shumë për hapjen e shkollave të reja. “Ka qenë Çajupi me dy turne. Shkolla Kosova nuk ekzistonte fare. Ne sot jemi shumë afër kësaj arritje. Shkolla ‘Servete Maçi’ është një shkollë e re. Sot kemi më pak mësim me dy turne. Kemi hapur disa shkolla të reja për të reduktuar mësimin me dy turne. Na mori katër muaj vetëm sherri me Universitetin Bujqësor të Tiranës. Kanë mbetur vetëm dy gjimnaze që kanë mësim me dy turne. Jemi shumë afër arritjes që të mos kemi më mësim me turne. Ndërtimi i një shkolle kushtojnë nga 2-3 milion euro por dhe më shumë”, u shpreh Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka sqaruar vendosjen e pllakës së memorialit të viktimave gjatë grushtit të shtetit në Turqi, një memorial tejet i diskutuar në vend, që çoi deri në thyerjen e saj në parkun e Liqenit. Veliaj, nga studio e emisionit Real Story të gazetarit Sokol Balla, tha se kjo ishte e pakonceptueshme, pasi nëse ka një vend që ka kontribuar më shumë në Tiranë dhe se i gjendjet asaj në momente të vështira është Turqia, duke shtuar se është gati t’i bëjë një pllakë memoriali kujtdo që është i gatshëm të kontribuojë për Tiranën. Kryebashkiaku Veliaj tha se dëmtimi i memorialit turk u dënuan që nga Shtëpia e Bardhë deri te të gjitha Kancelaritë Europiane, ndërsa shtoi se kushdo që “bërtet” në media apo rrjete sociale se do të paguaj për të shkatërruar atë pllakë e fton që t’i jap ato para për të mbjellë pemë.
“Ne kemi një marrëdhënie bashkëpunimi dhe etike maksimale me Turqinë dhe se investimet e saj në Tiranë nga kopshtet, konviktet, këndi i lojërave apo mbjellja e 2000 pemëve te Liqeni në një zonë që ishte katastrofë është falë kontributit dhe fondeve që Turqia ka dhënë për Tiranën dhe qytetarët e saj. Sigurisht që për ditën e Grushtit të Shtetit në Turqi, jo vetëm Shtëpia e Bardhë, Kancelaritë Europiane por të gjithë e kanë dënuar. Ata që thonë që do jap 2000 euro për atë që e prish, i them pse nuk jep 2000 euro për pemë? Jam gati t’i bëj pllakat kujtdo që kontribuon për Tiranën.” u shpreh Veliaj. Në lidhje me pyetjet se pse ky memoriali u bë pa një vendim të Këshillit Bashkiak, Veliaj tha se ky vendim i takonte Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, pasi ajo merr vendime për të vendosur pllakat në varësi të kërkesave të donatoreve që dhurojnë pemë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, edhe për çështjen e faturave të hotelit të qëndrimit të Arbjan Maznikut në Barcelonë, të cilit i është paguar fjetja nga një biznesmen. Veliaj u shpreh se kjo ka qenë një vizitë pune, dhe jo qejfi. Megjithatë, ai shtoi, se dokumentet janë dorëzuar në Prokurori. “E kemi referuar gjithë dokumentacionin në Prokurori. Bëhej fjalë për një prenotim, jo pagesë. I kemi kërkuar Prokurorisë të shohë dokumentacionin ka qenë për grup njerëzish apo për person. Sa kohë është dhënë një çmim në paketë për tre aktorë, duhet sqarim. Mazniku do shkojë i pari, pasi të thirret nga Prokuroria, të sqarojë”. “Kanë shkuar për punë, bashkia, implementuesi, komisioneri, e kanë fituar të tre këtë ofertë. Nëse do kishte qenë për qejf, do kishte sqarim tjetër. Nuk pranoj kështu gjërash, por ka qenë prenotim pune në grup. Nëse dikujt do t’i hapësh probleme, mund t’ia bësh, nëse i di destinacionin. Të gjitha këto le t’i sqarojë Prokuroria”, ka thënë Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj teksa komentoi procesin e hapjes së negociatave tha se kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka treguar se mbështet rrugën e Shqipërisë për të marrë një “po” në muajin tetor. I pari i Tiranës, Erion Veliaj nga studioja e emisionit “Real Story” në Neës 24 tha sot se vendi ynë është shumë pranë hapjes së negociatave me familjen e madhe të Bashkimit Europian. “Pse jemi sot më afër se kurrë për të hapur negociatat. Kaq qorra janë ndërkombëtarët. Nëse do ishte kaq keq situata, ndërkombëtarët do të thoshin ta lëmë këtë vend të bëhet lesh e li. Merkeli po tregohet më afër se kurrë ndaj Shqipërisë në këtë hap final”-tha kryebashkiaku, Erion Veliaj.
Kryebashkiaku i ka dhënë përgjigje edhe shqetësimeve për problemet me ujin në Tiranë. Ai tha se Bashkia është duke kryer disa investime në rrjetin e ujësjellësit, duke shtrirë tubacione të reja, të pa dëmtuar. “Morëm një kredi për ujësjellësin për të bërë linja dedikuar. Për inat të asaj që ndodhte në Tiranë, linja ishte shpuar në më shumë se 1600 vatra. Ajo që ka ndodhur në Atir ka tre segmente; nga ujësjellësi i Bovillës, nga Ministria e transporteve. Tirana ka ujë në ujëmbledhës. Kemi marrë një kredi nga BERZH. Këtë kredi nuk e merrnim dotë nëse nuk do kishim pasur një performancë të ujësjellësit”, tha Veliaj, ndërsa shtoi se shumë shpejt pritet përfundimi i segmentit të Unazës nga TEG në Shkozë. I pyetur nga gazetarët në studio nëse PS është gati për zgjedhjet, Erion Veliaj u shpreh se PS është gjithmonë gati, por nuk komentoi nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme.
“Basha nuk frymëzon më askënd për të mbledhur njerëz rreth vetës, pasi ai nuk ka bërë kurrë asgjë për vendin” dhe kjo për Veliajn është arsyeja se pse opozita nuk po zhvillon dot protestat e radhës edhe pse ka që në gusht që paralajmëron së do t’i nis ato në fillim të shtatorit. Veliaj tha se Basha është një person që flet vetëm për veten e tij dhe se nuk mendon kurrë për të bërë një vepër që do t’u shërbejë qytetarëve dhe të mbahet mend nga ato.
Nga studio e Real Story të gazetarit Sokol Balla, që startoi sezonin e ri në News 24”, Veliaj foli edhe për djegien e mandatave të opozitës duke thënë se mori në qafë deputetët dhe kryebashkiakët, që sot janë bërë pishman që e dëgjuan. “Po të kishte Basha një punë të suksesshme në bashki do ja kishim dëgjuar zërin. Por nuk bëri një shkollë të vetme, nuk mbolli një pemë. Basha ka gjithë gjithë jetën që flet për veten e vetë, dhe kushdo që e dëgjon mendon: Po kur do flasë njëherë për mua? Mirë kjo po mori në qafë dhe të gjithë deputetët e tjerë. Kur ti je një udhëheqës i beson verbërisht atij dhe kur i thua fillimisht mos u regjistroni në zgjedhje, pastaj mos votoni, pastaj mbajini zyrat mbyllur, kjo ka bërë që deputetët të jenë bërë pishman ashtu si kryetarët e bashkive. Fakti që nuk ka protesta është se Basha nuk frymëzon askënd dhe e dinë që nuk do të bëjë asgjë për vendin.” u shpreh Veliaj. /Realstory.al/