Prokuroria e Posaçme SPAK ka marrë vendimin e parë pas krijimit të saj, duke vendosur pushimin e çështjes penale ndaj tre gjyqtarëve që pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, nga i cili u shmang dënimi me burgim të përjetshëm, duke e tkurrur atë me 25 vite burgim.
Në vendimin e pushimit, SPAK shprehet se për tre gjyqtarët Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli nuk janë gjetur elementë të veprës penale. Ata u hetuan pas dyshimeve për korrupsion, por akuzat nuk u provuan nga prokuroria. Dritan Dajti i akuzuar për vrasjen e 4 policëve në vitin 2009 i shpëtoi burgimit të përjetshëm kur pikërisht Apeli i Krimeve të Rënda me këtë trupë gjykuese pranoi gjykimin e shkurtuar dhe e dënoi me 25 vite burg.
Megjithatë, ky vendim i SPAK, duket se është marrë më herët nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe prokurorëve specialë u ka mbetur të hedhin vetëm firmën pas delegimit të dosjes pranë këtij organi special të akuzës. Çështja është verifikuar proceduralisht për veprimet e kryera nga Krimet e Rënda dhe më pas është vendosur pushimi i saj.
Prej 10 vitesh çështjet gjyqësore ndaj Dritan Dajtit ishin shtyrë vazhdimisht ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e efektivëve të Policisë Fato Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj gjatë një operacioni për kapjen e tij. Po ashtu mbeti i vdekur edhe Ledio Mara si dhe i plagosur Fatjon Shamku, ndërsa u plagos dhe vetë Dritan Dajti. Ndërkohë Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Dajtin me katër burgime të përjetshme ndërsa Apeli me 25 vite burg. Ky vendim ngjalli debat ndërsa ishte pikërisht ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e cila kërkoi hetim për gjyqtarët.