“Njeriu i Dekadës” mbyllet të enjten më 30 janar

#NËRADAR


Sondazhi i hapur nga Realstory.al se cili është politikani i dekadës që lamë pas, ka zgjuar interesin e mjaft qytetarëve të cilët janë aktivizuar jo vetëm duke marrë pjesë dhe duke dhënë votën e tyre por edhe duke komentuar. Janë të shumta komentet në rrjetet sociale, ndërsa gara më e fortë në sondazh vijon të jetë mes dy figurave më të rëndësishme politike, dy rivalëve të përhershëm Edi Rama e Sali Berisha, duke lënë pas Lulzim Bashën dhe Ilir Metën. Që të dy kanë marrë më pak vota. Gara vijon të jetë e hapur, sondazhi do të qëndrojë online deri në datën 30 janar. Cilido që ka dëshirë të marrë pjesë në sondazh mund të klikojë në faqen realstory.al dhe të japë mendimin e tij, ndërkohë që garantohet anonimati i plotë.

Brenda 24 orësh në faqen zyrtare të realstory në facebook në adresë të sondazhit kanë ardhur 146 komente  ndërsa në faqen zyrtare të gazetarit Sokol Balla kanë ardhur 195 komente.


Kryesisht mbizotërojnë akuzat ndaj politikanëve të cilët akuzohen si të korruptuar dhe kriminelë që kanë mbajtur peng zhvillimin e vendit përgjatë këtyre viteve.

“Krejt janë hajdutë, krejt janë vrasës, krejt janë vjedhës floriri, krejt janë mbrojtës të shokëve të vet….”, shkruan një nga komentuesit që madje propozon Pandeli Majkon.

“Kur ke kriminelin Sali që ka 30 vjet pse pyet për 10 vjet…?”, shkruan një tjetër komentues.

“Asnjëri, secili ka menduar për veten e tij dhe kush më shumë dhe kush më pak e ka sjellë në këtë farë derexheje këtë Shqipëri të mjerë por e ka fajin populli jonë nostalgjik…”

“Vetëm politikanë s’janë këto por hajduta, por mjerë populli…”

Ndërsa të tjerë komentues veçojnë kryeministrin Edi Rama, por sugjerojnë që të jetë më i vendosur dhe të mos lëshojë pe në zbatimin e ligjit.

“Më i miri është Edi Rama. Por duhet të jetë më i vendosur në ato çfar thotë dhe pastaj të shikojmë punën e bërë nga ai. Të mos lëshojë pe në zbatimin e ligjit”, sugjeron një komentues.

Dikush tjetër shkruan se sondazhi është i gabuar. “Arsyeja si mund të vendosen në një start Saliu i ‘97, 2011, bashkë me Ilirin? Sa për Lulin nuk ka për të qenë ndonjëherë i votuar. Ndaj mbetemi me zotin Rama që po lufton jo vetëm me opozitën destabilizuese, por çdo ditë kërkon të vendosë rregulla të funksionimit të shtetit serioz”.

Ndërsa dikush tjetër thotë se SPAKU do ta tregojë se cili politikan është njeriu i dekadës. Gjithsesi të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë në sondazh i cili do të qëndrojë i hapur deri më 30 janar.




Skip to toolbar