Vetëvendosja, marshim për bashkim kombëtar apo për pushtet?

#NËRADAR


Pasi fitoi zgjedhjet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë ka intensifikuar prezencën e saj edhe në Tiranë, ku duket se po kërkon faktorizim në opinionin publik, duke organizuar aktivitete gjithëpërfshirëse, por duke ngritur të njëjtat teza si opozita shqiptare. Një i tillë është edhe marshimi që ka njoftuar me rastin e shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor në Tiranë për bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës, një projekt i hershëm i saj, por që vetë kreu i VV, Albin Kurti deklaroi pasi fitoi zgjedhjet në Kosovë se mbetet në planet e saj, por në një kohë më të vonshme.

Me një status të gjatë në “Facebook”, qendra e Vetëvendosjes në Tiranë thekson se shqiptarët nuk kanë luksin ta shohin 28 nëntorin thjesht si festë, pasi sipas saj, ky është një projekt që nuk është zbatuar siç e kanë ëndërruar dhe dashur heronjtë e kombit shqiptar. Një tjetër plagë që përmendet nga Vetëvendosja është edhe ajo e largimit të shqiptarëve nga vendi. “Shpopullimi mund dhe do të përmbyset nga vetë shqiptarët me vullnet e me sakrifica për një organizim të qëndrueshëm që sjell transformimin e shoqërisë me modele ekonomike që ulin pabarazinë dhe sjellin zhvillim”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht se në gjykatë, aktualisht nuk është regjistruar si forcë politike, por si një OJF, në njoftimin e saj të gjatë, ka mbajtur qëndrime edhe për çështjet politike të vendit, duke filluar që nga drejtësia, sovraniteti, kriza politike dhe PPP-të, duke nënkuptuar kështu ndoshta fillimin e një aksioni politik me qëllim konkurrimin si alternativë edhe në Shqipëri me objektiv marrjen e pushtetit.

“Privatizimet dhe forma e tyre e modës së fundit, PPP-të, pasi shkatërruan dhe mbyllën shumë industri e sektorë ekonomikë, tashmë po rrënojnë arsimin dhe shëndetësinë, po pengojnë kalimin në akset e rëndësishme rrugore, dhe po prishin lumenjtë e bregdetin, po ndotin ajrin dhe ujin e pijshëm. Pabarazia e skajshme e krijuar në Shqipëri është shoqëruar me papunësi e me rroga të ulëta, duke u mohuar të drejtat bazë punëtorëve, që prej punës pa kushte e siguri mbeten shpesh me probleme të rënda shëndetësore, e jo rrallë humbin dhe jetën e tyre. Tregtia dhe importet kanë fituar përparësi përballë prodhimit vendas, që mbetet i pambrojtur. Fermerët e bujqit janë lënë në mëshirë të fatit, prodhimet e tyre shpesh përfundojnë në kalbje, përballë një konkurrence të pandershme nga mallra të importuara, që subvencionohen haptazi ose fshehurazi në vendet e origjinës”, thuhet ndër të tjera në qëndrimin e Vetëvendosjes, ku duket qartë oponenca e ndërmarrë prej saj, duke ngritur të njëjtat teza si opozita në Tiranë. Realstory.al



Skip to toolbar