Vettingu djeg kandidatin për SPAK

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Tiranës, Ndini Tavani, i cili ishte kandidat për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Në vendimin e tij KPK ka ngritur si shqetësim mos justifikimin e pasurisë nga prokurori ndërkohë që edhe raporti i DSIK për pastërtinë e figurës ngre dyshime për shpërdorimin e detyrës në disa raste. Problematike mbetet edhe perfomanca e prokurorit në aspektin profesional.

Sa i përket pasurisë prokurori Tavani ka deklaruar një apartament të blerë në vitin 2015 në vlerën e 4.5 milionë lekëve dhe për të cilin ka paguar 3 milionë lekë me burim pagën e tij dhe të bashkëshortes si dhe  kursimet nga puna si avokat para se të fillonte karrierën si prokuror. Komisioni konstatoi përputhje të deklarimeve të prokurorit Tavani për këtë pasuri, por ngriti pikëpyetje mbi ligjshmërinë e të gjithë shumës prej 2.5 milionë lekë. Komisioni ka konstatuar gjithashtu pamundësi financiare për vitin 2016, kohë kur janë deklaruar si shpenzime blerja e një makine për 900 mijë lekë, pagesa e këstit të apartamentit si dhe shpenzimet për pushime. Diferencë negative ka rezultuar edhe në analizën financiare për blerjen e një makine Benz për 7 mijë euro në vitin 2009. Në fjalën e tij përpara Komisionit, prokurori Tavani deklaroi se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për vlerën 2.5 milionë lekë nga avokatia, duke përmendur edhe të ardhurat nga Shkolla e Magjistraturës si dhe punën si ndihmës-avokat në vitet 2003-2004.

Ndërsa përsa i përket pastërtisë së figurës Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka hartuar dy raporte për prokurorin, duke konstatuar në të dytin papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës. DSIK ka ngritur dyshime për “shpërdorim detyre” në lidhje me një çështje për hetimin e disa personave për krijim të skemave mashtruese me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH. Tavani i quajti informacionet e DSIK të pabaza e të pavërteta.

Përsa i përket profesionalizmit në detyrë Komisioni i Vettingutn ka konstatuar problematike në dy prej pesë dosjeve të shortuara për vlerësimin profesional të prokurorit Ndini Tavani. Ndaj prokurorit Ndini Tavani ishin kryer dy kallëzime penale, një në vitin 2013 për shpërdorim detyre- për të cilin ishte vendosur mosfillim dhe një në vitin 2018 për të njëjtën vepër penale,  që ishte ende në hetim në Prokurorinë e Krujës. Ndërkohë, pranë KPK-së janë depozituar 31 denoncime nga publiku. Në përfundim KPK ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurorit Tavani, duke i hequr atij mundësinë të jetë anëtar i SPAK dhe duke e përjashtuar nga sistemi i drejtësisë.



Skip to toolbar