Vrasja në shtëpinë e Marsidës, flet polici i plagosur

AKTUALITET


Bledar Toçi, polici i burgjeve, i cili mbeti i plagosur nga të shtënat me armë në shtëpinë e Marsida Qatjas, ka dhënë dëshminë e tij , nga dhoma e spitalit rajonal të Durrësit. Toçi tha se kishte shkuar në banesën e saj për të ndihmuar Marsidën, pasi Dritan Haxholli e ngacmonte vazhdimisht. Sipas dëshmisë viktima Haxholli erdhi me forcë nga dera, ndërsa filloi të gjuante me breshëri kallashnikovi, sapo Toçi hapi derën. “Viktima aludoi se kisha lidhje me Marsida Qatjan dhe hapi zjarr. Unë qëllova vetëm një herë për t’u vetëmbrojtur” tha Toçi. Ai deklaroi se qëllimi i tij ishte t’i bënte presion Haxhollit ta linte të qetë Marsidën.

Marsida Qatja më telefonoi pasdite dhe më tha se Dritan Haxholli e bezdiste dhe e përndiqte dhe unë i thashë se do e ndihmoja. Kam shkuar disa herë tek shtëpia e saj gjatë së mërkurës. Marsida më tha se Dritani vjen zakonisht natën aty dhe për këtë arsye unë qëndrova aty në mbrëmje së bashku me Xhuljo Biturkun dhe Ermir Çelën.


I thamë Marsidës se do i bënim ne presion Dritanit që të mos e shqetësonte më. Rreth mesnatës kur ai erdhi dhe me forcë po i binte derës dhe po kërcënonte shkova unë dhe ia hapa derën ndërsa Marsida me 2 shokët ishin në sallon. Sapo ia hapa derën Dritani me tha: “Ti qenke dashnori i kësaj prandaj ajo u nda nga mua” dhe hapi zjarr direkt me automatik pa më lënë kohë që unë ta sqaroja. Menjëherë sa kam parë kallashnikovin që po e përgatiste për qitje jam shmangur por nga breshëria u plagosa. Për vetëmbrojtje reagova dhe qëllova vetëm një herë”, ka deklaruar Toçi raporton News 24.

Dëshmia e tij është paksa kontradiktore pasi vetë Marsida Qatja dhe policia ka deklaruar se Haxholli tentoi të hynte nga dritarja duke dëmtuar edhe grilën, në banesën që ndodhej në katin e parë dhe më pas i tha Marsida që të kalonte nga dera se do ja hapte. Gjithashtu në vendin e ngjarjes janë gjetur 17 plumba, ku një i përkiste kallashnikovit të Haxhollit që preku në qafë policin duke e lënë të plagosur dhe të tjerët kishin dalë nga pistoleta e Toçit.

Bledar Toçi, ka qëlluar më armën e shërbimit, një pistoletë tip “Glock” plot 16 herë në drejtim të Dritan Haxhollit. Sipas policisë dhe provave në vendngjarje gëzhojat e qitura nga pistoleta që ka përdorur Toçi, janë gjetur të shpërndara në vende të ndryshme të shtëpisë së Marsida Qatjas në Kavajë. I pari që mund të ketë qëlluar besohet të ketë qenë viktima Dritan Haxholli, i cili pasi ka qëlluar vetëm me një plumb i është bllokuar automatiku me karikator të mbushur me 28 fishekë. Toçi është përgjigjur në mënyrë të menjëhershme duke e lënë të vdekur Haxhollin, për të cilin ndodhet edhe në masë arresti  nga policia për “vrasje me dashje”. Vrasja tronditi Kavajën mëngjesin e të enjtes, ndërsa në banesën ku ndodhin “lufta” ndodhej edhe fëmija i vogël i Marsidës.  




Skip to toolbar