Nga gjyqet e Enverit tek parlamenti “monist”, Basha mesazh deputetëve

AKTUALITET


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujton 72-vjetorin e vrasjeve pa gjyq të 16 intelektualëve mes tyre dhe 5 deputetë të parlamentit, si dhe kritikon parlamentin e sotëm duke e cilësuar atë monist, ndërsa përçon mesazhe për deputetët duke thënë se do të mbajnë përgjegjësi për mbajtjen peng të vendit.

“72 vite më parë, më 10 tetor 1947, në një akt të pashembullt të eliminimit të elitës së kombit shqiptar, për interesa pushteti diktatura komuniste pushkatoi 16 veta, 5 prej të cilëve deputetë, në një gjyq të montuar që ka hyrë në histori si gjyqi i parë i dënimit të deputetëve. Me vendim të vetë diktatorit dhe me frymëzim bolshevik, në Shqipëri po grisej edhe formalisht veli i opozitës politike dhe përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit, intelektualë me formim perëndimor, klerikë të njohur e të angazhuar aktivisht në luftë kundër pushtuesve të huaj, si dhe tribunë të lëvizjes për rreshtimin e Shqipërisë në krah të demokracive perëndimore, u dënuan me pushkatim dhe vendimi u ekzekutua me urgjencë brenda dy javësh, nëpërmjet një vrasjeje mizore masive në Malin me Gropa.


Pinjollë të familjeve të njohura e me tradita patriotike, u nxorën para gjyqeve politike, në përpjekje për të shkatërruar njëherë e mirë çfarëdolloj opozite që mund të prodhonte shoqëria shqiptare ndaj sistemit diktatorial komunist që po impononte klika e ardhur në pushtet me dhunën e pushkës. Pas gjyqit të parë të deputetëve, ku xhelati ishte përkujdesur të përzgjidhte personalitete nga Shkodra, Tirana, Gjirokastra, Dibra, Lushnja, apo edhe Prishtina, me urdhër të vetë diktatorit, pati edhe dy valë të reja gjyqësore në vitin pasardhës, ku me varje, pushkatime apo me burgime të përjetshme u dënuan 15 deputetë, dhe dhjetëra bashkëpunëtorë të tyre. 72 vjet më vonë, ndjehemi krenarë për deklaratat që ata deputetë, tribunë të vërtetë të mendimit shqiptar, dhanë në gjyqin e montuar. Ata u shprehën troç se nuk e donin regjimin që ishte ngritur në Shqipëri e se ata ishin organizuar e po përpiqeshin për një Shqipëri si Europa, një Shqipëri me demokraci perëndimore. Përkundër dhunës çnjerëzore, ata i dolën zot orientimit perëndimor të shqiptarëve dhe i deklaruan botës se komunizmi nuk ishte një zgjedhje e lirë e popullit shqiptar, por, një regjim që u instalua dhe iu imponua popullit me dhunë e me gjak dhe që u mbajt me dhunë dhe me gjak”, përkujton Basha.

Ai shkruan se edhe sot Shqipërian vijon të ketë një parlament monist që synon të ndalë opozitën dhe median kritike. Basha shkruan se deputetët e sotëm do të turpërohen në të ardhmen për veprimet e tyre dhe do të mbajnë përgjegjësi për mbajtjen peng të vendit.

“72 vjet më vonë, në Shqipëri kemi një parlament monist, ku çdo ditë mendohet si të prodhohen ligje për të vjedhur e plaçkitur shqiptarët dhe pasuritë e tyre, për të ndaluar opozitën politike e median kritike. 72 vjet më vonë, regiimi autokratiko-kriminal i drejtohet opozitës politike me të njëjtën terminologji siç u drejtohej xhelati grupit të deputetëve, duke e quajtur një forcë e errët e cila do të marrë pushtetin. Por siç na mëson historia e na e ka lënë trashëgimi edhe përpjekja e grupit të deputetëve, askush s’mund ta ndalë ëndrrën e një populli, lirinë e tij, fatin e tij. Fati i Shqipërisë është i shkruar dhe është në Europë. Ata që përpiqen ta ndalin këtë udhëtim, do turpërohen si etërit e tyre. Fillimisht do turpërohen për firmat e tyre, dikur firma pushkatimi e sot firma për vjedhje masive dhe dhunime të pronës dhe lirive të qytetarëve, e më pas do përgjigjen individualisht për përgjegjësitë që kanë për mbajtjen peng të vendit.

Duke përkujtuar betejën e grupit të deputetëve, ne kemi detyrimin të ruajmë lirinë dhe demokracinë. Ato kërcënohen sot nga karikaturat e brezit të dytë të diktaturës komuniste, të shndërruara në një aradhë pa komb, që ka vetëm një kult, vjedhjen. Është një betejë e re dhe të gjitha forcat demokratike, trashëgimtare politike të platformës së paraqitur nga grupi i deputetëve, janë thirrur në skenën e historisë, për ta fituar atë bashkë me të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë”, shkruan Basha.

Për kreun e PD-së parlamenti aktual nuk është i ligjshëm pasi ai nuk e njeh opozitën parlamentare. Për Bashën ky parlament nuk ka opozitë. Për këtë arsye kreu i PD-së e cilëson atë të paligjshëm dhe monist. PD dogji mandatet e deputetëve në shkurt të këtij viti duke braktisur parlamentin./realstory.al




Skip to toolbar