Punimet për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar të futbollit, kanë kaluar në një tjetër stad. Prej dy ditësh ka nisur shtrimi i tapetit të blertë të fushës në stadiumin e ri kombëtar. Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar një video nga ecuria e punimeve, ku duket qartë se gjithçka në shtëpinë e re të futbollit po shkon drejt përfundimit.
Sipas një njoftimi të mëhershëm të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, mësohet se puna për shtrimin e tapetit të blertë do të përfundojë brenda një jave. Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se fusha do të jetë gati për të pritur skuadrat pas një muaji.
Megjithëse, sqaron Dervishaj, pritet që inaugurimi zyrtar të bëhet në muajin nëntor, kur Shqipëria do të luajë dhe dy ndeshjet e fundit eliminatoret të Euro 2020, ndaj Andorrës dhe Francës. Ndërkohë, nga pamjet e publikuara nga FSHF, shihet se vendosja e 22 mijë stolave në tribunat e stadiumit të ri kombëtar të futbollit, gjithashtu po shkon drejt fundit.