Demokratët e Kongresit akuzuan Presidentin Donald Trump të mërkurën për hartimin e “një skeme korruptive” për të bërë presion ndaj Ukrainës që të hetonte rivalin e tij kryesor në zgjedhjet e 2020-ës, ish nënpresidentin Joe Biden. Në ditën e parë të hapjes së argumenteve para 100 senatorëve amerikanë që do të vendosin nëse presidenti Trump duhet të shkarkohet nga detyra apo jo, ligjvënësi Adam Schiff tha se votimi për akuzat ndaj Presidentit do të pasqyrojë imazhin e Amerikës në të gjithë botën.
Pas disa ditë ceremonish dhe betejash procedurale, ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e prokurorëve filluan paraqitjen e argumentave në Senatin amerikan.
“Presidenti Trump vonoi qindra miliona dollarë ndihma ushtarake ndaj një partneri strategjik në luftë me Rusinë, për të siguruar ndihmën e huaj në rizgjedhjen e tij. Me fjalë të tjera, për të mashtruar. Në këtë mënyrë, presidenti përdori pushtetin zyrtar shtetëror të disponueshme vetëm për të, dhe të padisponueshme për çdo kundërshtar politik, për të përfituar në një zgjedhje demokratik”, tha demokrati Adam Schiff.
Demokratët thonë se ka edhe më shumë prova për t’u zbuluar, por dështuan në përpjekjen e tyre të parë të martën për të detyruar udhëheqësin e shumicës në Senat Mitch McConnell për të thirrur dëshmitarë në fillim të gjykimit.
“Gjëja e parë që amerikanët panë, kur filluan të ndjekin gjyqin e Presidentit Trump, ishin senatorët republikanë që votuan kundër një gjykimi të drejtë me prova përkatëse. Gjyqi për fajësimin e Presidentit Trump fillon me një grumbull resh mbi të, re padrejtësish”, tha senatori Chuck Schumer.
McConnell tha se nuk do të merret asnjë vendim në lidhje me dëshmitarët deri sa të mbarojnë argumentat hapëse – por mund t’i lejojë ata në respekt të shumicës së amerikanëve që duan të thirren dëshmitarët.
“Ai e kupton se nëse duket si një gjyq i rremë, nga pikëpamja e opinionit publik do të ishte keq dhe mund të jetë e dëmshme për republikanët në nëntor. Kështu që ai dëshiron që ky të duket si një gjykim i plotë në kuptimin që ka deklarata hapëse nga secila palë dhe senatorët kanë një shans të bëjnë pyetje. Por sigurisht, ai nuk dëshiron që gjyqi të vazhdojë pafundësisht, dhe dëshiron që në fund presidenti të shpallet i pafajshëm”, thotë Darrell West i Institutit Brookings.
Një ditë maratonë argumentash kundër presidentit Trump nuk duket se ndryshoi opinionet e senatorëve republikanë.
“Dinamika kryesore që do të sjellë ndryshim është kur presidenti të parashtrojë argumentet e tij. Mezi pres të shoh se çfarë do të ndodhë atëherë, dhe kam përshtypjen se kur të dëgjojmë palën tjetër, do të ketë një dinamikë tjetër”, thotë senatori Mike Braun.
Avokatët e presidentit Trump do ta fillojnë të shtunën mbrojtjen e tyre. Por aleatët e presidentit tashmë po akuzojnë demokratët se po e përdorin procesin për përfitime politike.
“Kur bëhet fjalë për Donald Trumpin, ata janë të gatshëm të shkatërrojnë institucionin e presidencës vetëm për ta hequr”, tha senatori Lindsey Graham
Demokratët kanë edhe dy ditë kohë për të parashtruar argumentat e tyre të hapjes, por një betejë mbi lejimin e zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë të dëshmojnë, në këmbim të dëshmisë së mundshme ish nënpresidentit Joe Biden tashmë po vlon.
“Gjyqi nuk është tregti dëshmitarësh. Ata duan ta përdorin këtë gjyq për të njollosur Bidenin. Ky nuk është qëllimi i gjyqit, dhe senatorët nuk duhet të lejojnë që ai të abuzohet”, tha ligjvënësi Adam Schiff.
Nëse McConnell nuk ndryshon qëndrim, ose nuk arrihet një marrëveshje, kjo do të ishte hera e parë që një proces për shkarkimin e Presidentit të bëhet pa dëshmitarë./VOA/