Ndërtimi i një vile trekatëshe dhe hetimi për një çështje penale në ngarkim të një doganieri kanë ngelur në vetting kreun e Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundim se Keta nuk kishte bërë deklarim të saktë dhe kishte disa mos deklarime. Brunilda Bekteshi, relatorja e çështjes në KPK tha se edhe hetimet e Komisionit ishin vërejtur një sërë problemesh në pasurinë e prokurorit. Keta sipas relatimit nuk kishte sjellë dokumentacion provues për të ardhurat e tij si avokat në vitet 90’, kishte mungesë burimesh të ligjshme për disa nga pasuritë dhe disa pasaktësi e mos deklarime në vite.
KPK bëri me dije se ai ishte hetuar në të tre kriteret. Komisioni kishte rrëzuar më herët me vendim të ndërmjetëm një kërkesë të tijën për të bërë ekspertizë të pavarur për kostot e dy ndërtimeve, një shtëpie trekatëshe dhe një shtese mbi një shtëpi të ndërtuar në vitet 60’.
Llogaritja e bërë nga Komisioni bazuar mbi kostot e Entit Kombëtar të Banesave e nxirrte ndërtesën me një kosto prej rreth 4 milion lekësh. Sipas KPK-së nga kjo shumë Keta rezultonte në dukje në pamundësi për të mbuluar shpenzimet me burime të ligjshme për rreth 3 milion lekë.
Bekteshi vuri në dukje se Keta nuk dokumentonte pagesën e tatimeve për të ardhurat e punës si avokat. Në një pyetje drejtuar prokurorit në fund të seancës ajo tha se sipas tatimeve ai “nuk rezultonte i rregjistruar si subjekt”.
Po ashtu, pushimi prej tij i hetimeve në një çështje me akuzë “mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë” ndaj një doganieri u theksua si problemi i karrierës së tij profesionale. KPK vuri në dukje se nga hetimi kishte rezultuar se nuk ishin kryer të gjitha veprimet hetimore. Doganieri akuzohej po ashtu edhe për pastrim të produkteve të veprës penale dhe pretendonte se 70 mijë euro të ardhura nga emigracioni ua kishte dhënë hua të afërmve. Bekteshi vuri në dukje se asnjë nga të afërmit nuk ishte pyetur dhe se një sërë veprimesh hetimore nuk ishin kryer. Sipas relatores nuk ishte bërë as verifikimi i gjendjes gjyqësore të personave që supozohej se kishin marrë paratë dhe as verifikimi i të ardhurave të të hetuarit, nëse kishte pasur ai apo jo mundësi të krijonte këtë pasuri.
Hysen Keta, është drejtues i komanduar i Prokurorisë së Përmetit dhe u hetua nga një trupë e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtare Suela Zhegu. Ai e ka nisur karrierën e tij në vitin 1979 dhe përveç pozicionit si prokuror, ka punuar për një periudhë edhe si avokat. Për më shumë se një dekadë, ai e ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa në vitin 2015 u transferua me dekret të Presidentit në Prokurorinë e Tiranës.