Komisioni Europian ka rrëzuar kërkesën e parlamentit europian për kthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë. Konfirmimi është dhënë nga delegacioni i BE në Tiranë, i cili u shpreh se kërkesa e autoriteteve holandeze nuk plotësonte kushtet për pezullimin e lëvizjes së lirë pa viza për shqiptarët në vendet e BE.
Ky vendim i KE-së vjen si një përgjigje ndaj shqetësimit të shprehur në konferencën e së martës të Presidentit Meta, i cili tha se zhvillimi i zgjedhjeve të 30 qershorit do ndikojë në vendosjen e vizave për shqiptarët. Ai tha gjithashtu se zhvillimi i këtyre zgjedhjeve do t’i hapë probleme Shqipërisë me KE. Por mesa duket presidenti është shqetësuar më kot sepse KE rrëzoi kërkesën e Holandës për rivendosjen e regjimit të vizave.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Ambasadori i BE, në Tiranë Luigi Soreca i cili thekson se tani është koha që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së.
“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informatat e disponueshme dhe të dhënat përkatëse, Komisioni Evropian konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen.
Komisioni Europian natyrisht do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standarteve liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza.
Tani është koha që Shqipëria të mbështetet mbi këtë konfirmim, që është një arritje e rëndësishme e saj në vitin 2010 dhe për të ecur përpara me energji në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në pikëpamjen e vendimit vendimtar të KE tetorin e ardhshëm”, shkruan ambasadori në tëitter.
Edhe ish ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka bërë një reagim duke shkruar që pas këtij konfirmimi Shqipëria duhet të vazhdojë të zbatojë standardet e liberalizimit të vizave.
“Pas vlerësimit të kërkesës së Hollandës, Komisioni Evropian konsideron se rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen në rastin e Shqipërisë. Le të ndërtojmë mbi këtë konfirmim dhe të vazhdojmë të zbatojmë standardet rigoroze të liberalizimit të vizave!”, shkruan Bushati.
Pas konfirmimit nga delegacioni i BE për vendimin e Komisionit Europian, Ambasada e Holandës në Shqipëri ka zbardhur përgjigjen zyrtare të KE, në lidhje me kërkesën e tyre për të kthyer regjimin e vizave me Shqipërinë. Sipas njoftimit, KE i ka dërguar përgjigje, Ministrit të Punëve të Jashtme të Holandës në datën 1 korrik. “Në këtë letër, Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar. Sinjali që vjen nga letër-kërkesa vijon të jetë i rëndësishëm. Holanda do të punojë me Shqipërinë për të parë se si shqetësimet tona në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe klandestinët që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të Holandës mund të adresohen në mënyrë më efikase. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën Shqiptare dhe e shohim si thelbësore adresimin e këtyre çështjeve”, deklaron Ambasada e Holandës.
Më 31 maj Holanda dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Evropian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen. Një debat i gjatë u zhvillua në Parlamentin holandez për këtë çështje, ndërkohë që më pas u miratua dhe kërkesa e iniciuar nga deputetja Toorenberg. Në një letër dërguar Eurokomisionerit për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitri Avramopoulos, Robert de Groot përfaqësuesi i përhershëm i Holandës në Bashkimin Evropian, ka paraqitur dhe argumentet e Parlamentit të tij për këtë kërkesë që përmblidhen në tre pika. Afati për shqyrtimin e kësaj kërkese ishte një muaj, datë e cila përfundoi të martën më 3 korrik.
Ky vendim i Holandës solli mjaft përplasje në Tiranë në sferën politike. Teksa maxhoranca shprehej se nisma është marrë nga deputetë që kanë qenë gjithmonë kundër integrimit, opozita e ka parë si rezultat i nivelit të ulët të luftës kundër krimit, korrupsionit dhe trafikut të drogës. Madje, në këtë debat u përfshi edhe Presidenti Meta, i cili foli si opozita, duke deklaruar se jo vetëm që negociatat nuk do hapen, por rrezikojmë rikthimin e vizave dhe bëri thirrje që ky shqetësim të jetë parësor për qeverinë.