Pas letrës së përfaqësuesit të Holandës në BE, përmes të cilës kërkon vendosjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, ka reaguar të premten ambasada holandeze në Tiranë. Ajo sqaron se letra do të shqyrtohet nga Komisionit Europian. Më pas do të kalojë për diskutim në Parlamentin Europian dhe më pas do të jetë Këshilli i Europës që do të marrë një vendim.
Deri atëherë nuk ka asnjë ndryshim: Shqiptarët do të vazhdojnë të lëvizin të lirë në hapsirën Shengen.
Deklarata e Ambasadës Holandeze në Tiranë:
Parlamenti Hollandez i kërkoi Qeverisë hollandeze në datën 16 Prill të aktivizonte mekanzimin e pezullimit të vizave për Shqipërinë për shkak të shqetësimeve në lidhje me krimin e organizuar.
Për ta ekzekutuar këtë mocion, qeveria Hollandeze i dërgoi një letër njoftuese Komisionit Europian në datën 31 Maj.
Në këtë letër, Komisionit i kërkohet të shqyrtojë informacionin e dërguar nga Hollanda dhe në konsultim me vendet anëtare të vendosë në lidhje me nevojën për të vepruar.
Hollanda e vlerëson bashkëpunimin konstruktiv dhe të vazhdueshëm me qeverinë dhe autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Të dyja vendet po punojnë në fuqizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Në vijim të letrës njoftuese, Komisioni Europian do të vlerësojë nëse do të ketë nevojë për të ndërmarrë veprim. Komisoni do të informojë Parlamentin Europian dhe Këshillin Europian mbi rezultatet e këtij vlerësimi.
Deri në një njoftim tjetër, politika e vizave për nënshtetasit shqiptarë do të mbetet e njëjtë: qytetarët shqiptarë mbajtës të një pashaporte biometrike nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen për maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.