Osmani: Kurti nuk mund të sillet si fitues absolut

KOSOVA


Vjosa Osmani tha se koalicioni mes LDK dhe Vetëvendosjes do të bëhet me partneritet të barabartë, ku askush të mos sillet si fitues absolut dhe tjetri të trajtohet si aksesorë. Osmani tha se ka vullnet pozitiv nga të dyja partitë që të krijojnë së bashku një koalicion qeverisës, por duhet të arrihet edhe një pajtim i partive për çështjet e rëndësishme.

Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Osmani theksoi diferencat mes LDK dhe Vetëvendosjes, or shprehu besimin se mund të krijojnë një bashkëpunim të mirë për mirëqeverisjen e vendit.

“Natyrisht që do të varet shumë nga vullneti i të dyja partive, unë mund ta konfirmoj që nga ana e LDK-së ka vullnet për bashkëpunim dhe ka përpjekje të sinqerta në mirëbesim të plotë që të arrijmë një marrëveshje, por kjo nuk do të varet vetëm nga vullneti ynë por edhe nga ajo se sa arrijmë pajtim për çështje që janë të rëndësisë të madhe për qeverisjen e ardhshme, prandaj ka edhe tema të rëndësishme që këto ditë po diskutohen ndërmjet grupeve punuese të cilat sidomos nga java e ardhshme do të intensifikojnë takimet. Është krejtësisht evidente se deri sa jemi dy parti me ideologji të ndryshme dhe për derisa njëra ka më shumë përvojë me qeverisje kurse tjetra më shumë në opozitë ka dallime që unë jam optimiste që ne mund t’i kalojmë” tha Osmani

Osmani tha se është shumë e rëndësishme që për politikën e jashtme të Kosovës qeveria të flasë në një zë dhe të kërkojmë njohjen e saj dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Si qeveri e ardhshme ne duhet të kemi harmonizim të plotë lidhur me këto qëndrime që pastaj mos të kemi shembullin e qeverisë së kaluar ku kryeministri kishte qëndrime të tjera në politikën e jashtme, ministrat e tij pastaj kishin qëndrime të tjera, presidenti të tjera dhe në këtë mënyrë vendosnin Republikën e Kosovës në një situatë jo vetëm të pa lakmueshme në aspektin e imazhit por edhe i bënin dëm subjektivitetit tonë ndërkombëtarë derisa edhe krijonin paqartësi tek shtetet jo vetëm që na kanë njohur por edhe ato që akoma nuk na kanë njohur lidhur me atë se si e sheh Kosova vetveten. Pra, ne si qeveri e ardhshme duhet të flasim me një zë, sa i përket asaj se si e shohim Republikën e Kosovës, si luftojmë për subjektivitetin e saj ndërkombëtar, si i kërkojmë njohjet dhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare dhe cilat janë relacionet tona me shtetet e rajonit. Për këto duhet të pajtohemi në plotëni dhe jo vetëm parcialisht, para se të arrihet një marrëveshje.” tha Osmani

Ajo gjithashtu shtoi se afati i pranverës së vitit 2020 nuk është kërkuar nga aleatët perëndimorë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, por për të sjellë prapë të dyja palët në tavolinë dhe për të rifilluar negociatat.



Skip to toolbar