Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ka nxjerrë zbuluar planin e bashkive të opozitës se dekreti i Presidentit Meta është vetëm preteksti i përplasjeve për lirimin e ambienteve të KZAZ-ve, pasi sipas saj, edhe nëse KZAZ-të vendosen në ambiente private, pra jo në administrim të Bashkisë Shkodër, ajo do të bëjë gjithçka që të prishë procesin zgjedhor.
Këtë deklaratë ajo e ka bërë ndërsa shpjegonte përplasjen që ka ndodhur që të martën në mëngjes mes bashkiakëve dhe policisë, ku punonjësit e administratës kanë tentuar të nxjerrin me dhunë materialet zgjedhore nga ambientet e KZAZ-ve, me pretendimin se Bashkia Shkodër do të respektojë dekretin Metës për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor, pavarësisht se ky dekret është cilësuar nul dhe pa asnjë forcë ligjore nga KQZ që administron zgjedhjet.
Kur Ademi fliste për këtë çështje, e pyetur nga gazetarët, nëse KZAZ-të do të zhvendosen në një tjetër ambient që nuk është në administrim të Bashkisë, ajo sërish tha se do të bëjë gjithçka që Shkodra të mos kalojë në një proces farsë ligjor. Pra ndërsa tha se këtë betejë po e bën për të ruajtur ambientet që janë në administrim të Bashkisë së Shkodrës, Ademi tregoi planin opozitar se e gjitha është vetëm për të penguar procesin zgjedhor, edhe nëse KZAZ-të do të zhvendosen në ambiente që nuk i takojnë Bashkisë.
Madje, ajo i ka shpallur “luftë” policisë, duke u shprehur se Policia e Shtetit është prej shumë kohësh jashtë shinave të ligjit, duke i shërbyer qëllimit kriminal të Edi Ramës. “Si Kryetare e Bashkisë së Shkodrës kam detyrimin ligjor të bëj gjithçka për kontrollin e territorit të Bashksië, duke mos lejuar asnjë puç institucional të bandave të Edi Ramës, që drejtojnë Policinë, Prefekturën dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, deklaroi Voltana Ademi. Ajo nuk tha nëse në planet e saj, përfshihet edhe perdorimi i Molotovëve, për të cilët ajo deklaroi pak kohe me pare se ishin dashuria e saj e pamundur.