“Vota e emigrantëve”, nisin bisedimet/ Gjiknuri: Kemi zgjidhje konkrete. Por Foltorja refuzon

AKTUALITET


Politika po avancon në debatin mbi mundësimin e votës së diasporës për 2025, sikundër e kërkon dhe Gjykata Kushtetuese, por kur vjen moment për të folur mbi mjete konkrete, të dyja palët largohen sërish.

Megjithatë, këtë të martë në Grupin Politik, PS-ja dhe demokratët e Rithemelimit, u dakordësuan që të nisin të diskutojnë më konkretisht dhe do të jetë kryekomisionieri Celibashi që të mërkurën, do t’i japë deputetëve panoramën e qartë se çfarë hapash mund të ndërmerren që emigrantët në 2025 të mund të hedhin votën e tyre.


“Vota e diasporës është në Kodin Zgjedhor. Është për t’u diskutuar si të materializojmë më mirë interpretimin që ka bërë Gjykata Kushtetuese. Sot në tavolinë kemi zgjidhje konkrete për votën e diasporës. Ka një përpjekje për ta mundësuar por duhen 84 vota”, u shpreh Gjiknuri.

Por mjetet e propozuara prej maxhorancës nuk pranohen prej grupit më të madh të deputetëve të opozitës.

“PS ngul këmbë që duhet të kalojë në filtrat politikë të shtetit dhe të ministrisë së Brendshme, në mënyrë që të vendosin kush voton e kush jo. Kjo është e papranueshme”, tha Bylykbashi. Vota e emigrantëve është në propozimet e të dyja palëve, me riskun që edhe mund të mos gjendet konsensusi.

“Prisni deri në fund dhe e shikoni kush do të ketë fajin, nëse nuk do e bëjmë”, tha Gjiknuri.

Partia Demokratike e grupit të Rithemelimit e ka propozuar votën e diasporës, por për të, prioritet mbetet heqja e koalicioneve./abcnews.al




Skip to toolbar