Rama i vendosur për shkarkimin. “Meta çlirohet, të marrë drejtimin e opozitës”

AKTUALITET


Maxhoranca është e vendosur ta çojë deri në fund nismën për shkarkimin e Metës, nismë kjo që sipas Spiropalit do ta çlirojë Metën dhe do t’i japë atij mundësinë që të vendoset në krye të opozitës.

Megjithëse nuk ka qenë në seancën e së enjtes në Kuvend, kryeministri Rama ka reaguar në facebook në lidhje me dekretet e Metës që u rrëzuan në seancë nga maxhoranca. Rama shkruan se dekretet e Metës janë një katrahurë pa asnjë bazë ligjore që janë firmosur në kohë rekord nga Meta për të sulmuar qeverinë dhe që si qëllim kanë pasur vetëm vazhdimin e luftës së dështuar të opozitës.


“Koha rekord me të cilën Ilir Meta shqyrtoi, analizoi dhe vendosi për t’i kthyer ligjet në Kuvend flet për qëllimin e vërtetë të Ilir Metës. Të gjitha kthimet janë bërë pa asnjë bazë juridike dhe pa marrë parasysh interesin publik. Katrahurën me dekrete e zhdekrete e bën për të plotësuar dështimin e “miqve” të tij të luftës dhe që ngushëllimin e gjejnë tek Presidenca”, shkruan Rama teksa poston fjalimin e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Ajo është treguar më e ashpër në fjalimin e saj, teksa hedh poshtë argumentet e Metës për kthimin mbrapsht të ligjeve në kuvend, duke thënë se Meta nuk është kujdesur në asnjë moment për interesin publik, as në rastin kur u hoqi shqiptarëve të drejtën të votojnë në 30 qershor duke anuluar datën e zgjedhjeve.

“Presidenti kthen në Kuvend çdo ligj. Sulmon nëpërmjet tastierës së tij dhe zëdhënësve qeverinë dhe parlamentin. Presidenca duhet ta dijë se kthimi i këtyre ligjeve është në kundërshtim me interesin publik. Rezervat materiale, janë vetëm të grupit A tek gruri dhe materialet e thjeshta, nuk e di pse Metës i shkon mendja menjëherë tek floriri, por këtë le ta shpjegojë Frojdi jo ne. Nevoja e ndryshimit të këtij ligji vjen nga eksperiencat e mëparshme. Gjatë kohës së emergjencave kemi pasur një vonesë të lëvrimit të mallrave.

Nuk ka rrezik për qamet financiar, se qamet fizik përmes tërmetit nuk ndodhi, por edhe për këtë presidenti të jetë sigurtë që nuk do të ndodhë. Si qingj u fsheh nga drejtësia pas cjapit legjendar të PD-së për një rrugë që i kishte e zeza me të bardhë abuzimet, por shpëtoi me një raport mjekësor. Që presidenti të kthejë në dekrete përvuajtjet hipokrite të opozitës së rrugës nuk i kishim menduar. Por ata nuk po ia dinë mundin që Presidenti po bën. Po presim të dëgjojmë kush do ta digjte parlamentin? Dështuan dhe vijojnë që të dështojnë, pasi nuk kanë asnjë alternativë. Komisioni Hetimor nuk do të shërbejë si mekanizëm ndëshkues për Presidentin, por si çlirues për Ilir Metën për t’u kthyer në krye të opozitës”, tha Spiropali.

Siç duket nuk ka asnjë ndryshim nga qëndrimi i PS-së. Maxhoranca është e vendosur ta çojë deri në fund nismën për shkarkimin e Metës nga posti i presidentit./realstory.al

ERTV Live😊:Koha rekord me të cilën Ilir Meta shqyrtoi, analizoi dhe vendosi për t’i kthyer ligjet në Kuvend flet për qëllimin e vërtetë të Ilir Metës. Katrahurën me dekrete e zhdekrete e bën për të plotësuar dështimin e miqve të tij të luftës dhe që ngushëllimin e gjejnë tek Presidenca. Flet ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali

Gepostet von Edi Rama am Donnerstag, 12. September 2019



Skip to toolbar