Vrasja e vajzës në Athinë, prindërit përballen në gjykatë me dy të rinjtë: Do ju vrasim

AKTUALITET


Dy autorët e vrasjes së 21-vjeçares greke Eleni Topaloudi, ku njëri është shqiptar, janë përballur të hënën jo vetëm me togat e zeza, por dhe me familjarët e viktimës, ku nëna e saj i kërcënoi në mes të gjykatës se do i vriste. Prindërit dhe gjyshërit e 21-vjeçares greke, Eleni Topaloudi kanë qenë në seancën gjyqësore në Gjykatën e Athinës ku kanë dalë para togave të zeza dy autorët e dyshuar të vrasjes së saj, Aleksandër Luca dhe Manolis Koukouras.

Siç shkruajnë mediat greke, situata në sallën e gjyqit nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi ka pasur tension të madh dhe britma nga familjaret e viktimës. Nëna e studentes, kur pa dy autorët që ishin ulur në bankën e të akuzuarve, filloi të dridhej nga zemërimi, dhe megjithëse burri dhe të afërmit e saj po përpiqeshin ta frenonin, ajo u ngrit nga vendi ku ishte ulur duke qarë dhe duke bërtitur.


Në pamundësi për ta përmbajtur zemërimin dhe inatin, sapo pa të akuzuarit, bërtiti dhe kërcënoi se do t’i vriste ata, ndërsa iu drejtohej atyre që e mbanin nga krahët duke u thënë: “Ata ma shkatërruan jetën dhe unë duhet të ulem këtu për t’i parë?”.  “Vrasës, do ju vras, ju shkatërruat jetën tonë dhe jetën e fëmijës tim, dhe unë duhet t’ju shoh. Vrasës”, thërriste nëna e të ndjerës. Edhe babai i Elenit, nuk e përmbajti dot veten. Ioannis Topaloudis, duke iu drejtuar të akuzuarve dhe duke mohuar akuzën e përdhunimit, tha: “A nuk keni turp? Për çfarë konsensusi po flisni? Me thikën në qafë e përdhunon …”.

Avokati i të pandehurit nga Rodosi tha se klienti i tij, pranon vetëm thjesht bashkëpunimin në vrasje. Ndërsa i pandehuri me origjinë shqiptare, mohoi të gjitha akuzat. Ndërkohë në fjalën e tij avokati i familjes e përshkroi mohimin e të pandehurve si provokues. Avokati Kujas foli për mizoritë dhe krimin e rëndë, të cilat, tha ai, u bënë nga të pandehurit, në mënyrë që viktima të mos i raportonte ata për përdhunimin në grup. Jashtë gjykatës, një grup protestuesish u mblodhën dhe ngritën një pankartë ku shkruhej: “Ata po na vrasin – Një helen më pak”.




Skip to toolbar