Vrau 28-vjeçarin në Astir, vetëdorëzohet në polici autori

AKTUALITET


Noel Dishi, autori i vrasjes së 28-vjeçarit Vilson Tafçiu në zonën e Astirit, është vetëdorëzuar në polici ditën e enjte. Policia konfirmon vetëdorëzimin e tij duke sqaruar se erdhi si rezultat i presionit të saj me kontrolle të pandërprera dhe bashkëpunimit me familjarët e autorit.

“Si rezultat i trysnisë së ushtruar nga ana e Policisë duke kryer kontrolleve të shtuara e të pandërprera në dhjetëra objekte, banesa, hotele, dhe godina të braktisura, informacioneve të grumbulluara dhe si rezultat i bashkëpunimit me familjarët para pak minutash u dorëzua në DVP Tiranë autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi Noel Dishi, alias N. K., alias M.P., 29 vjeç” njofton policia.

29-vjeçari Dishi akuzohet se vrau mikun e tij Vilson Tafçiun (Noka) pas një konflikti të çastit mbrëmjen e 20 janarit para lokalit Artisti në zonën e “Astirit” në Tiranë. Autori, i cili përdor 3 emra të ndryshëm, është nga Dibra e banues në Sukth, dhe ka qenë shok me viktimën, ku së bashku ishin në emigracion në Francë dhe në Zvicër.

Sipas grupit hetimor mes Vilson Tafçiut dhe Noel Dishit ka ndodhur një zënkë që ka prishur miqësinë, që më pas ka çuar në vrasjen e 28-vjeçarit. Viktima Vilson Tafçiu ishte duke konsumuar një kafe në lokal me dy vajza, kur është thërritur jashtë nga Noel Dishi dhe është qëlluar për vdekje me tre plumba.



Skip to toolbar