Vrau Nard Polinë, me pranga nga Danimarka

AKTUALITET


Policia e Shtetit njofton se është kapur dhe është ekstraduar nga Danimarka Kristjan Sulaj (Martini), që akuzohet si autor i vrasjes me armë zjarri të Ferdinand Polisë, ose siç njihet ndryshe Nardin e Bujtinave. Vrasja ka ndodhur në datë 20 mars të këtij viti në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Grudë, Njësia Administrative Rrethina, në Shkodër.

27-vjeçari nga Shkodra, Kristjan Sulaj (Martini), ishte në kërkim ndërkombëtar prej muajit mars dhe është arrestuar në Kopenhagen, ndërsa të premten është ekstraduar në Tiranë për t’u përballur me akuzat.  I riu akuzohet për vrasje me dashje në bashkëpunim.

Ferdinand Polia, 32 vjeç i njohur ndryshe si Nardi i bujtinave u vra më 20 mars të këtij viti. Ai ishte një emër i njohur për policinë për shkak se në vitin 2011 bashkë me 8 anëtarë të një grupi kriminal u arrestuan për trafik kokaine dhe shfrytëzim prostitucioni në një lokal nate në Treviso të Italisë. 

Pas qëndrimit në Itali, Polia është kthyer në Shkodër duke u vendosur në Theth ku njihej për aktivitetin në fushën e turizmit.

Ai u qëllua me 20 plumba teksa ndodhej në automjetin tip fuoristradë së bashku me një person tjetër, në kryqëzimin e fshatit Grudë.

Viktima mësohet se kishte shkuar për të marrë mjetin në servis, aty ku e kishte lënë prej disa ditësh dhe gjatë rrugës autori i maskuar me skafandër dhe që lëvizte me një motor,  i është afruar fuoristradës ka nxjerrë armën tip kallashnikov që kishte fshehur në xhaketë duke shtënë me breshëri ndaj Polisë.



Skip to toolbar