Vret veten, pasi vrau kunatin emigrant në SHBA për ta grabitur

Më të fundit


Një person, i cili dyshohet se një natë më herët ka vrarë kunatin e tij që jetonte në SHBA, me qëllim për ta grabitur, ka vrarë veten mëngjesin e së martës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Korçë dhe policia dyshon se viktima Sefedin Zenellari i ka dhënë fund jetës, kur ka pikasur forcat e policisë, që kishin shkuar për ta shoqëruar për vrasjen e emigrantit shqiptar, që jetonte në SHBA.

Sipas të dhënave, të hënën në mbrëmje, 57-vjeçari Gramoz Nako, baba i tre fëmijëve, është gjetur i vrarë në banesën e tij në Lagjen numër 7, në rrugën “Ismail Qemali” të këtij qyteti. Trupi u gjet nga bashkëshortja Natasha Nako, dhe fillimisht u dyshua për një vetëvrasje, pasi fqinjët nuk kishin dëgjuar asnjë zhurmë. Mirëpo, nga hetimet paraprake të oficerëve të policisë dyshohet se ishte një grabitje me pasojë vdekjen e tij.

Në banesën e 57-vjeçarit, policia konstatoi se mungonte një shumë prej 13 mijë eurosh, e cila dyshohet se është vlera që kunati i tij i ka marrë nga banesa. Në kanotierën e 57-vjeçarit janë gjetur shenja të grisurash çka tregon se ka pasur një përleshje mes tij me grabitësin.

Çifti kishte vetëm dy ditë që ishte kthyer nga Turqia, ku ndodheshin me pushime bashkë me fëmijët.

Pas kësaj ngjarje, policia nisi hetimet për zbardhjen e saj, ndërsa një nga të dyshuarit për këtë krim ishte kunati i tij Sefedin Zenellari, 71 vjeç, i cili mëngjesin e së martës, në momentin kur shërbimet e policisë kanë shkuar për ta shoqëruar në Komisariat, është vetëvrarë me pistoletë, në banesën e tij, ku jetonte i vetëm. Policia tha se grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.



Skip to toolbar