Petrit Vuksani, 51 vjeç, mbeti i vrarë më armë mesditën e kësaj të marte në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e 51-vjeçarit, që ndodhet pranë “Varrezave Katolike” të qytetit.
Dyshohet se një person i armatosur ka shkuar në shtëpinë e viktimës duke e qëlluar atë për vdekje. Në momentin e ngjarjes, Vuksani ndodhej i vetëm në banesë.
Viktima kishte pak kohë që kishte ardhur nga Anglia, ku jetonte prej vitesh.
“Rreth orës 12:15, në lagjen “Tom Kola”, në rrethana ende të paqarta, në banesë, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. V., 51 vjeç. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohet kontroll në zonë për kapjen e autorit të dyshuar. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për sigurimin e çdo prove, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit”, tha policia e Shkodrës në një njoftim paraprak për ngjarjen.