Vuçiç nuk e fsheh: Kam frikë nga Albin Kurti…

AKTUALITET


Fitorja e pushtetit nga Albin Kurti shihet me frikë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili e sheh atë si një negociator të vështirë në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

Teksa ka folur për ardhjen në pushtet të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe mundësinë për heqjen e taksës dhe vendosjes së reciprocitetit, Vuçiç ka thënë se duhet të pritet për të parë se çfarë do të bëhet.

“Nëse Kurti dëshiron të rregullojë diçka, atëherë le të shohim se çfarë mund të bëjmë”, ka thënë Vuçiç për “Der standard”.

Vuçiç ka thënë se ndjehet i frikësuar me një zhvillim të tillë dhe ndikimin që mund të ketë në dialog, pasi që sipas tij, deklaratat e fundit të bëra nga kreu i Vetëvendosjes “janë tri herë më të këqija sesa të Ramush Haradinajt e Hashim Thaçit”.

“Kam frikë për ndikimin (që mund të ketë në dialog). Ditët e fundit, deklaratat e tyre publike kanë qenë tri herë më të këqija se deklaratat e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt”, ka thënë kreu i shtetit serb.

 Më herët Vuçiç është shprehur se Serbia nuk do ta njohë kurrë shtetin e Kosovës brenda kufijve aktualë, ose nuk do ta njohë kurrë, por ai tha se dialogu mes dy shteteve duhet të mbahet i hapur.



Skip to toolbar