Xhaçka falenderon FA dhe premton fuqizimin e Emergjencave Civile

AKTUALITET


Forcat e Armatosur vijojnë të qëndrojnë në terren për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Pesë ditë pas lëkundjeve të fuqishme që shkaktuan 51 viktima e qindra të plagosur, Forcat e Armatosura kanë përqëndruar punën e tyre në mbështetjen logjistike. Ato po transportojnë ushqime, veshmbathje e detergjentë për njerëzit e mbetur të pastrehë si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor. Ministrja e Mbrojtjes e shoqëruar nga shefi takoi nga afër trupat e dislokuar në mjediset e stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit, të cilët i falënderoi për përkushtimin e treguar këto ditë gjatë operacioneve të kërkim – shpëtimit.

Në bisedën e zhvilluar me ushtarakët e angazhuar, ministrja Xhaçka premtoi mbështetje më të madhe me pajisje e mjete për strukturat ku ata bëjnë pjesë, për të përmirësuar punën e tyre në rastet e çdo lloj emergjence civile. “Jo vetëm ju por edhe kolegët tuaj, ata në uniformë dhe ata pa uniformë që i janë gjendur pranë të gjithë qytetarëve të prekur nga kjo tragjedi e madhe kombëtare, faleminderit nga zemra gjithsecilit. Bravo ju qoftë! Jeni krenari! Dhe nuk janë vetëm fjalë sa për t’u artikuluar në të tilla raste, por po ju flas me zemër. Unë e kuptoj që sprova si kjo që kemi kaluar janë edhe mësime të nxjerra, për të përmirësuar shumë nga puna që bëjmë edhe për të fuqizuar shumë më tepër strukturat tona”, tha ndër të tjera ministrja.

Ajo gjithashtu u shpreh se pas kësaj situate është e nevojshme që Shqipëria të forcojë strukturat e saj të emergjencave civile. “Edhe ato të kërkim – shpëtimit edhe ato të cilat duhet të jenë të dedikuara për emergjencat civile. Pastaj edhe për teknikën dhe mjetet, pajisjet, aparaturat që ju duhen për ta bërë punën tuaj më mirë. Patjetër që sakrifica dhe përkushtimi e profesionalizmi juaj janë të jashtëzakonshme, por duhet t’ju mbështesim më tepër që puna juaj të jetë sa më e mirë, dhe për këtë kemi nisur që tani bashkë me partnerët, jo vetëm siç u thashë të modernizojmë kapacitetet tona me teknikë të re, por edhe të ridimensionojmë të gjithë mënyrën se si kemi organizuar Forcën tonë të Armatosur, për të pasur ekipe të specializuara, të mirëtrajnuara edhe me mjetet e duhura jo vetëm të kërkim – shpëtimit por edhe të të gjitha fatkeqësive natyrore apo emergjencave civile me të cilat mund të na duhet të përballemi nga tani e tutje. Edhe një herë faleminderit, faleminderit nga zemra. Bravo ju qoftë! Shpresoj shumë që familjet tuaja ta kenë kaluar atë panikun e madh edhe për faktin që s’ju kanë pasur pranë sepse jeni detyruar që t’i shërbeni atyre që kanë pasur më shumë nevojë në këto zonat më të prekura.”- u shpreh ministrja Xhaçka.



Skip to toolbar