Xhenierët e Forcave të Armatosura kanë gjetur dhe kanë sekuestruar 74 predha të mbetura që gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore duke parandaluar një tragjedi në Lezhë.
Lajmin e bën të ditur ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka. Ministrja deklaron se këta predha janë transportuar me mjete të posaçme në një poligon, ku edhe pritet të asgjësohen.
“Forcat e Armatosura parandaluan një tragjedi në Manati të Lezhës. Xhenierët tanë larguan nga zona e banuar 74 predha të kalibrit 150 mm, secila me peshë rreth 50 kg, sipas vlerësimeve paraprake, të Luftës së Dytë Botërore.
Arsenali i predhave u zhvendos për t’u asgjësuar në një poligon të posaçëm, ndërkohë që, prej fillimit të vitit, xhenierët e FA kanë kryer 75 operacione në të gjithë vendin, duke asgjësuar rreth 16 ton municione të rrezikshme”, shkruan Xhaçka krahas videos së operacionit të FA në Facebook.