Zaloshnja: Disfata e kandidatëve të përkrahur nga Trump më 8 nëntor

Më të fundit


Në të gjithë mediat amerikane dhe ato ndërkombëtare, para të martës, mbizotëronte pritshmëria që Republikanët do të rimerrnin kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e 8 nëntorit – në Dhomën e Përfaqësuesve me epërsi gjigande, ndërsa në Senat me epërsi të dukshme. Të njëjtën gjë priste edhe ish-presidenti Trump, i cili e vonoi shpalljen e kandidaturës për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, pikërisht për të pritur “Dallgën Republikane” të 8 nëntorit.

Pritshmëritë për një “Dallgë Republikane” bazoheshin në kuotat e ulëta në sondazhe të presidentit Biden – Gallup para zgjedhjeve e kishte vetëm 40% kuotën pozitive për presidentin Biden – si dhe në nivelin rekord të inflacionit në 40 vjetët e fundit – 8.2% para zgjedhjeve. Me tregues më pak negativë në të shkuarën, partitë e presidentëve në fuqi kanë pësuar disfata katastrofike në zgjedhjet kongresuale.


Por pse nuk u materializua të martën “Dallga Republikane”?

Në primaret republikane, Trump përkrahu kandidatë që e kishin mbështetur publikisht atë në pretendimet për zgjedhjet që humbi më 2020. Ajo përkrahje rezultoi vendimtare në garat brenda partisë republikane. Por doli fatale në garat e 8 nëntorit…

Kandidatët e përkrahur nga Trump nuk fituan pothuaj asnjë nga garat vendimtare për tejzotërimin e pritur të të dyja dhomave të Kongresit. Shteti i Xhorxhias, ishte rasti më ilustrues i disfatës Trump. Kandidati republikan për guvernator (anti-Trump) fitoi atje me 8 pikë ndaj rivales demokrate. Ndërsa kandidati republikan për senator (pro-Trump) doli barazim me rivalin e tij demokrat. Ishin të njëjtët votues që votuan në të njëjtat qendra votimi, por që i besuan më shumë kandidatit anti-Trump se sa atij pro-Trum, në përballjen me kandidatët respektivë demokratë…

Një shembull tjetër jo kaq i drejtpërdrejtë (por më spektakular) është Florida. Guvernatori Republikan De Santis (rival i Trump në primaret e ardhshme) e fitoi garën e të martës atje me 20 pikë epërsi. Para dy vjetësh, Trump e fitoi garën presidenciale në shtetin e Floridës me vetëm 2 pikë epërsi. Dhe Florida është një shtet që për dekada është ndarë pothuaj 50-50…

Trump, me sedrën e tij të sëmurë, do ta shpallë së afërmi rikandidimin për rikthimin e ëndërruar në Shtëpinë e Bardhë. Duket se ai nuk po e pranon që koha po thërret në skenë brezin e ri të politikanëve republikanë…




Skip to toolbar